Lista Serbe dorëzon mandatet në Kuvend

Deputetët e Listës Serbe dorëzojnë mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca për mediat kosovare.

Ai tha se dorëzimin e ka pranuar zyrtarisht nga administrata.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës pasoi pas nisjes së shpërndarjes së fletëqortimeve për targat.

Autoritetet kosovare pezulluan  Nenad Gjuriçin, drejtor i Policisë së veri, për shkak se ka refuzuar të lëshojë fletëqortime për serbët e Kosovës që nuk i ndërruan targat.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë dje se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të vendosin që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, do të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës, pas vendimit të serbëve për t’u larguar nga të gjitha institucionet e këtij vendi.