Largimi i Lista Serbe, Çipa: Ka frikë për tensione, Serbia do të instumentalizojë pushtetin në Kosovë

Akri Çipa ekspert i Marrëdhënieve ndërkombëtare në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj foli rreth largimit të Lista Serbe nga Kosova.

Çipa thotë se Serbia do të instrumentojë pushtetin serb në Kosovë.

Akri Çipa: Mendoj se është një përsëritje e një trendi që kur ka shpallur Pavarësinë Kosova. Serbia do të instrumentojë pushtetin serb në Kosovë. Një gjë e tillë ndodhi dhe kur qeveria e Kosovës lajmëroi për reciprocitetin e targave atëherë kishim vendosje policore tashmë largim.

Por cili është efekti i këtij vendimit?

Akri Çipa: Dhe pse i mvishet një vendimi të reciprocitetit të Kosovës, konteksti më i gjerë është një përpjekje e faktorit ndërkombëtar për të shtyrë para dialogun në një moment që është ulur aftësia e Rusisë për të ndikuar në mënyrë negative ndaj ecjes përpara. Serbia do të ndryshojë përpjekjen për të ecur përpara në mënyrë konkrete.

A ka një rrezik për përshkallëzim tensioni?

Akri Çipa: Ka një frikë konkrete. Është një përpjekje e qartë për të rritur tensionet që qeveria e Kosovës të bëjë lëshime. Serbia do të çlirohet pak dhe nga presioni diplomatik pasi do të tregojë se si po dobësohen marrëveshjet e arritura më përpara.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.

Pas vendimit, të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan, dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.