Vuçiç: Nuk do jetë e lehtë, Serbia gaboi që transferoi bisedimet nga OKB-ja në BE

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi sot në mbrëmje se vendimi për tu tërhequr nga institucionet e Prishtinës ishte një vendim autonom i serbëve të Kosovës, që nuk do të jetë i lehtë por se ata kanë bërë atë që kanë binduar.

"Është e rëndësishme për ne të ruajmë sigurinë dhe stabilitetin" tha Vuçiç në TV Pink.

“Prishtina nuk ka të drejtë t'ua heqë targat serbëve”, theksoi presidenti duke e quajtur momentin si jo të lehtë por që nuk ishte "as i pari e as i fundit”

Vuçiç theksoi se Serbia në fakt e humbi sovranitetin e saj në Kosovë në vitin 1999 dhe se gabimi më i madh i Serbisë ishte transferimi i bisedimeve për Kosovën nga OKB-ja në BE, citon agjencia serbe e lajmeve, Tanjug

Më tej presidenti serb tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të vendosin që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, do të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës, pas vendimit të serbëve për t’u larguar nga të gjitha institucionet e këtij vendi.

“Mendoj se diçka e tillë do të kontribuojë në paqe. Nëse amerikanët mendojnë që këtë punë mund ta bëjnë shqiptarët, e diçka e tillë nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vullnetin e popullit, frikësohem se kjo situatë mund të çojë në katastrofë” tha Vuçiç.