Lufta për PD vijon, Gjykata e Apelit shtyn sërish vendimin

Seanca në Gjykatën e Apelit ku do të shqyrtohej ankimimi i Partisë Demokratike kundër vendimit të marrë nga gjykata me 18 mars 2022, ku regjistroi ndryshimet statutore të Kuvendit të PD të 17 korrikut 2021, është shtyrë për në datën 10 nëntor, ora 09:30.

Shkak për shtyrjen mësohet se është bërë mungesa e avokatit Indrit Sefa, për arsye shëndetësore.

PD thekson në ankimimin e saj se gjykata duhet të kishte shqyrtuar edhe kërkesën tjetër të PD për regjistrimin e ndryshimeve në statutin e Kuvendit të 18 dhjetorit.

Një ndër vendimet e rëndësishme të këtij Kuvendi ishte përjashtimi nga partia i "non gratave" nga SHBA, duke synuar në mënyrë të drejtëpëërdrejtë Sali Berishën.

Në rast se Gjykata do të pranojë ankimimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore atëherë zhbëhet Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 i thirrur nga Sali Berisha.

Gjyqtarja, Blerina Muça, pranoi në 18 mars të 2022 kërkesën e bërë nga Gazment Bardhi për njohjen e ndryshimeve në statutin e PD të miratuara në 17 korrik 2021, vendim i cili u ankimua më pas nga vetë Bardhi që kërkoi bashkangjitjen e ndryshimeve të vendosura nga Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha me 18 dhjetor.

Ndërkohë ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili me 25 mars i kaloi PD-në Berishës.

Gjithashtu në gjykatë është dhe ankimimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës.

Për këtë arsye gjykata sqaroi më parë se për çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në Apel, e cila do të ishte një vendim i formës së prerë që do të vendosë për fatin e PD-së.

Gjyqtari, Agron Zhukri, me 25 mars bëri që ligjërisht në krye të PD-së të njihej që prej kësaj date Komisioni i Rithemelimit si organ drejtues i partisë.

Një ditë pas vendimit të gjykatës PD e kallëzoi në SPAK gjyqtarin Agron Zhukri.

Në cilësinë e nënkryetarit të selisë blu, Enkelejd Alibeaj, e ankimoi vendimin për regjistrimin e statutit, logos dhe vulës së re të miratuar nga grupi i Berishës me 11 dhjetor.

Në ankimimin e përfaqësuar me autorizim nga Enkelejd Alibeaj, ky i fundit kërkon nga Apeli prishjen e vendimit të 25 marsit si dhe pushimin ose kthimin në hetim me trupë tjetër gjykuese.