Prokuroria e Pejës dyshon dhe për raste të tjera të dhunës në azil

Reagime të ashpra ka shkaktuar keqtrajtimi i të moshuarës, që ndodhej e shtruar në qendrën e kujdesit të të moshuarve në Pejë, që u dhunua nga dy infermiere. Ndonëse tre persona tashmë ndodhen pas hekurave, siç duket ky nuk ka qenë një rast i izoluar.

Prokuroria e Pejës ka bërë të ditur se ka informacione se në qendër mund të ketë raste të tjera të dhunës, përveç asaj që u publikua dje.

Prokuroria njoftoi se është ende në fazën hetimore dhe u zotua se nuk do të ndalet derisa rasti të zbardhet.

Për këtë rast, janë arrestuar tre persona. Aurona Pelaj, e dyshuara kryesore e cila shihet në video duke goditur gruan e moshuar, në polici ka deklaruar se ka qenë duke u vetëmbrojtur.

Familjarët e të moshuarës e cila u keqtrajtua fizikisht, në një qendër të moshuarish në Pejë, e tronditur nga ajo që ka parë ka thënë se ka parë shenja dhune në faqet e nënës së saj, por nuk kishte dyshuar te punonjëset e qendrës "Orenda".

Për dhunën e pakuptimtë ka reaguar edhe politika.

Zyra e Presidentes së Kosovës e ka quajtur dhunën të papranueshme në çdo rast. 

Kryeministri Kurti e quajti ngjarjen të tmerrshme dhe u zotua se autoritetet janë vënë në punë për të zbardhur rastin që shokoi Kosovën dhe Shqipërinë.