Bolsonaro respekton rezultatin, u bën thirrje mbështetësve të vet të lirojnë rrugët

Presidenti i Brazilit ka thyer heshtjen duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve të së dielës të cilat shpallën fituese ish-kreun e shtetit Lula. Bolsonaro u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të lirojnë rrugët pasi qindra shoferë kamionësh të zemëruar nga rezultati bllokuan autostradat kryesore të vendit.

Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro u ka bërë thirrje kamionistëve që protestojnë kundër rezultateve të zgjedhjeve të së dielës që të pastrojnë rrugët dhe të protestojnë diku tjetër.

Mbështetësit e presidentit të ekstremit të djathtë kanë ngritur qindra postblloqe në të gjithë Brazilin që kur u njoftua se rivali i majtë i Bolsonaro, Lula, fitoi zgjedhjet.

Bolsonaro tha se bllokimi i rrugëve nuk ishte pjesë e protestave legjitime.

Ai i inkurajoi njerëzit të zgjidhnin mënyra të tjera për të demonstruar.

Shumë mbështetës të fortë të Bolsonaros kanë refuzuar të pranojnë rezultatin e balotazhit presidencial të së dielës, kur ish-presidenti Luiz Inácio Lula da Silva fitoi ngushtë me 50.9% të votave të vlefshme.

Sinkron Bolsonaro: "E di që jeni të mërzitur, jeni të trishtuar. Ju prisnit diçka tjetër, edhe unë jam i mërzitur, jam i trishtuar sa ju, por duhet të mbajmë kokën drejt. Mbyllja e autostradave është diçka e paligjshme, prandaj më duhet që t’u kërkoj që të zhbllokoni rrugët".

Të zemëruar me rezultatin, shoferët e kamionëve vendosën bllokada në të gjithë vendin.

Ato kanë zgjatur deri më tani tre ditë dhe kanë shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në transportin e mallrave, përfshirë ushqimin dhe karburantet.

Policia ka luftuar për të mbajtur të gjitha bllokadat, megjithëse policia federale e autostradës tha se më shumë se 700 tani ishin çmontuar.