Marrëveshja e grurit do të vazhdojë, Rusia ndryshon qëndrim
Rusia thotë se do të rifillojë pjesëmarrjen në marrëveshjen e drithit të Detit të Zi, e cila siguron kalim të sigurt për anijet që transportojnë eksporte ushqimore jetike nga Ukraina.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në Telegram se “garancitë e marra për momentin duken të mjaftueshme dhe rifillon zbatimi i marrëveshjes”, raporton CNN.
Moska pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e eksportit të grurit të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara me Ukrainën si shkak i sulmeve me dronë në qytetin e Krimesë, Sevastopol.
Moska fajësoi Kievin për sulmet ndërsa një zyrtar i lartë ukrainas akuzoi Rusinë për shpikjen e “sulmeve terroriste fiktive” në objektet e veta në Krime, dhe gjithashtu akuzoi Moskën për “shantazh”.
Megjithatë, të martën, zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha se Ukraina kishte paraqitur "garancitë e nevojshme me shkrim" se nuk do të përdorte korridorin humanitar, ose portet e përcaktuara për eksportet bujqësore, me qëllim ushtarak kundër Rusisë.
Vendimi i Kremlinit për t'u tërhequr nga marrëveshja shkaktoi "shqetësime të mëdha" për furnizimet globale të ushqimit në një kohë kur bota tashmë po përballet me një krizë urie në rritje.
Organizatat globale humanitare, Bashkimi Evropian, NATO dhe Kombet e Bashkuara i kërkuan Moskës që të kthejë vendimin e saj, duke paralajmëruar se çdo rënie në eksportet që vijnë nga Ukraina mund të ketë pasoja vdekjeprurëse.