Netanjahu rimerr pushtetin

Sondazhet në Izrael duket se kanë qenë të sakta. Benxhamin Netanjahu ish-kryeministri jetëgjatë pritet të marrë sërish pushtetin pas zgjedhjeve të së dielës. Edhe pse nën akuzë për mashtrim, 73-vjeçari mbetet figura më e pëlqyer e popullit hebre. 

Me mbi 97% të votave të numëruara blloku i krahut të djathtë që udhëhiqet nga ish-kryeministri Benxhamin Netanjahu është fituesi i zgjedhjeve të 31 tetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar më shumë se 4 milionë vota prej së cilave vlerësohet se blloku fetar i së djathtës do të marrë rreth 65 ulëse nga 120 që ka në total parlamenti izraelit.

Me një shumicë të siguruar në kuvend, rikthimi i Netanjahut do të ishte i bujshëm vetëm një vit pasi ai ra nga pushteti në të cilin ka qenë kreu i qeverisë për 12 vjet.

Netanyahu, i shoqëruar nga gruaja e tij Sara doli përpara mbështetësve të tij të cilëve u tha se partia e tij Likud kishte marrë një votëbesim bindës nga populli izraelit.

Netanjahu: "Sot ne kemi marrë një votëbesim gjigant. Unë duhet të zgjidhem dhe unë do të zgjidhem, faleminderit! Unë do të qeveris një qeveri kombëtare për të gjithë qytetarët e Izraelit. Së bashku do t’ia dalim!"

73 vjeçari, është një nga figurat politike më të diskutueshme të Izraelit, i urryer nga shumë në qendër dhe në të majtë, por i adhuruar nga mbështetësit bazë të Likud.

Ai është një mbështetës i vendosur i ndërtimit të vendbanimeve të Izraelit në Bregun Perëndimor, i pushtuar që nga lufta e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Vendbanimet atje konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, megjithëse Izraeli e kundërshton këtë.

Ai kundërshton krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, si një zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez, një formulë e mbështetur nga shumica e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë administratën e Bidenit në SHBA.

Këto zgjedhje janë parë më shumë si një votë pro apo kundër Netanjahut.