Ujëvara e Niagarës, hapet për vizitorët tuneli poshtë ujëvarës magjepsëse

Ujëvara e Niagarës, një nga destinacionet më tërheqëse për udhëtarët nga e gjithë bota, ofron edhe një pamje të re. Këtë vit është hapur për vizitorët një tunel, 670 metra, që zbulon magjinë e parkut natyror.

Ujëvara e Niagarës, një nga mrekullitë e botës, është një magnet që vijon të tërheqë udhëtarët nga i gjithë globi prej të paktën dy shekujsh, mes tyre edhe Marilyn Monroe apo Mark Twain. Këtë vit është hapur për vizitorët edhe një atraksion i ri. Bëhet fjalë për një tunel të madh, i cili ndodhet nën kaskadë, por që deri tani ka qenë i ndaluar për vizitorët.

Shkëmbinjtë nën ujëvarën gjigante që shtrihet në kufirin midis shtetit të Nju Jorkut të SHBA-së dhe provincës kanadeze të Ontarios janë të mbuluar me dhoma të gdhendura për të shfrytëzuar forcat e fuqishme të natyrës që gjëmojnë sipër.

Dhe tashmë, tuneli 670 metra i ndërtuar më shumë se një shekull më parë në anën kanadeze është hapur për të zbuluar këto mrekulli inxhinierike.

Që nga korriku 2022, ai ka qenë pjesë e turneve në “Niagara Parks Poëer Station”. Eksplorimi i tij ofron një pamje magjepsëse të punës pioniere që e solli këtë cep të Amerikës së Veriut në epokën moderne.

Rajoni rreth ujëvarës, sipas udhërrëfyesit turistik të stacionit Elena Zoric, dikur ishte një qendër aktiviteti për biznesmenët që donin të fitonin para nga shfrytëzimi i energjisë hidrike.

Një udhëtim në Niagara është energjik në shumë mënyra. Është një vend me bukuri natyrore, por gjithashtu mund t'ju bëjë të mendoni dy herë për forcat natyrore që vazhdojnë të formësojnë jetën tonë moderne.