Qendra e emigrantëve në Manston, si një kopsht zoologjik, thotë azilkërkuesi
Kushtet në një qendër të mbipopulluar emigrantësh në Kent ishin të ngjashme me të jetuarit në një burg apo kopsht zoologjik, ka thënë një emigrant i larguar së fundmi për BBC.
Ahmedi, jo emri i tij i vërtetë, tha se njerëzit në qendrën e Manston (ku lihen të presin emigrantët teksa kryehen procedurat) trajtoheshin si "kafshë" me 130 njerëz të detyruar të ndajnë një tendë të vetme të madhe.
Në këto qendra janë të strehuar edhe shumë shqiptarë të cilët zgjedhin të ndërtojnë një jetë atje. Bazuar në shifrat e fundit zyrtare, rreth 80 përqind e emigrantëve të cilët kanë hyrë këtë vit në Mbretërinë e Bashkuar janë shqiptarë.
Më shumë se 4,000 emigrantë thuhet se janë mbajtur në kamp dhe se ditët e fundit pritet të vijnë 1,600 të tjerë.
Por Ministri i Emigracionit Robert Jenrick ka këmbëngulur se shifrat po bien.
Ahmedi, i cili u largua nga qendra të hënën pasi kaloi 24 ditë atje, përshkroi se ishte i detyruar të flinte në dysheme dhe se mund të shkonte në tualet, të bënte dush ose të dilte jashtë për stërvitje.
Ai tha për BBC se u largua nga vendi i tij i lindjes, Irani në kërkim të lirisë, për të shmangur persekutimin, duke thënë se kishte jetuar me frikë për jetën e tij.
Por pasi mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar dhe në qendrën e strehimit , Ahmed tha se iu bënë pengesë të telefononin familjet e tyre për t'i bërë të ditur se kishin kaluar në mënyrë të sigurtë për në Mbretërinë e Bashkuar.
"Për 24 ditë që isha atje, nuk munda t'i telefonoj familjes sime për t'u thënë atyre se jam gjallë apo kam vdekur, ata nuk dinin asgjë për mua," tha ai.
Manston, një ish-bazë ushtarake në Kent, u hap si një qendër strehimi në shkurt pas rritjes së numrit të emigrantëve të cilët arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla. Emigrantët janë menduar të mbahen atje për periudha të shkurtra kohore, teksa i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë dhe identitetit.
Ata më pas supozohet të zhvendosen në sistemin e akomodimit të azilit të Home Office, që shpesh nënkupton një hotel për shkak të mungesës së akomodimit në dispozicion, raporton BBC.
Por Manston u mbush edhe më shumë në fundjavë kur 700 emigrantë u transferuan atje nga një qendër tjetër në Dover, e cila u përfshi në zjarr.
Kryqi i Kuq Britanik tha se "problemet serioze në Manston janë tregues të çështjeve që nuk funksionojnë me të cilat përballet sistemi i azilit".
Një numër i madh emigrantësh kanë mbërritur në Britaninë e Madhe këtë vit. Deri më tani, brenda vitit, ka pasur pothuajse 40,000 hyrje në Kent, ku 1,000 prej tyre kanë kaluar Kanalin Lemansh të shtunën.
BBC mori foto të fëmijëve të pashoqëruar që detyroheshin të flinin në dysheme në Home Office në Kent. Fotografitë tregojnë një dhomë të dekoruar rrallë, me disa libra dhe një kuti me lojën Scrabble me qëllim argëtimi për të kaluar kohën.
Shkrimi në gjuhë të ndryshme shihet i zhgarravitur në muret mbi një rresht karrigesh plastike, të kapura në dysheme. Sipas BBC ky territor është i ndarë për strehimin e fëmijëve të pashoqëruar.
Qeveria ka qenë nën presion të madh për të trajtuar rritjen e kalimeve me varka të vogla dhe për të përshpejtuar procesin e emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar.



