Koreja e Veriut dërgon në mënyrë të fshehtë predha artilerie në Rusi, thotë SHBA
Shtëpia e Bardhë thotë se Koreja e Veriut po dërgon një numër ‘të konsiderueshëm’ predhash artilerie në Rusi për luftën në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Korenë e Veriut se ka furnizuar Rusinë me një numër “të konsiderueshëm” predhash artilerie që do të përdoren në Ukrainë, pasi Moska gjithnjë e më shumë kërkon ndihmë nga aleatët e saj, raporton Aljazeera.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby u tha gazetarëve të mërkurën se dërgesat që supozohen të jenë armë të Koresë së Veriut nuk ka gjasa të ndryshojnë rrjedhën e konfliktit, duke theksuar përpjekjet e vendeve perëndimore për të mbështetur ushtrinë ukrainase.
Kirby u tha gazetarëve se: "Dyshimet tona janë se DPRK (Republika Popullore Demokratike e Koresë së Veriut) po furnizon fshehurazi dhe ne do të monitorojmë nëse dërgesat janë pranuar apo jo".
Ai nuk ndau detaje rreth mënyrës së transportit ose nëse SHBA do të përpiqej të ndalonte dërgesat në Rusi, raportoi Aljazeera.
Njoftimi vjen në mes të tensioneve të rritura të SHBA-së me Korenë e Veriut, e cila lëshoi gati dy duzina raketa të mërkurën, ku një prej tyre u ul pranë ujërave të Koresë së Jugut.
Pheniani ka kryer një numër rekord teste armësh këtë vit, në kundërshtim me sanksionet e SHBA dhe ndërkombëtarëve.
Më herët gjatë javës, forcat e SHBA-së dhe Koresë së Jugut zhvilluan stërvitje të mëdha ajrore të përbashkëta, duke shkaktuar një përgjigje të zemëruar nga Koreja e Veriut, e cila i komentoi stërvitjet si një provokim "të pandërprerë dhe të pamatur".
Të martën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price tha se Pheniani, duket se "po kërkon një pretekst tjetër për provokimet që ka ndërmarrë tashmë, apo të krijojë terren për provokimet që ka në plan të bëjë në ditët apo javët në vijim".
