Të përcjellësh të vdekurit në varreza me biçikletë

Një biçikletë për transportim mallrash, me pamje të pazakontë, po përpiqet të shkundë biznesin e funeraleve në Francë.

Kjo ishte ide e Isabelle Plumereau, e cila e quajti 'Corbicyclette'

Ajo drejton një biznes të vogël funerali në Paris të quajtur "Qielli dhe Toka".

Biçikleta e saj e ngarkesave është projektuar për të marrë arkivole me përmasa të plota, në vend të makinave tradicionale që përdoren në ceremoni të tilla.

"Corbicyclette është një propozim për familjet të cilat unë i shoqëroj me një ritual të ri, veçanërisht në varreza", thotë Plumereau, duke shtuar se kjo lejon "një ceremoni me ritëm të ngadalësuar, të heshtur, të qetë, në ritmin e hapave të njerëzve që ecin pas dhe që marrin pjesë në ceremoni”.

Jam e lidhur me formën aq sa edhe me përmbajtjen”, vazhdoi ajo. "Për mua është shumë e rëndësishme që të shoqëroj familjet duke i propozuar që t'i japin kuptim ceremonisë, por edhe duke u propozuar ta trajtojnë bukur. Sepse bukuria është ajo që do të sjellë edhe rehati."- thotë Isabelle për Euronews.

Kompania e Isabelle shpreson të integrojë parimet e qëndrueshme në industrinë e funeralit.

Gjëra të ngjashme me "Corbyiclette" tashmë ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara dhe Danimarkë.

Versioni i saj është dy metra e gjatë dhe ka asistencë elektrike, e cila i mundëson të përballet me rrugë më të pjerrëta. Kjo biçikletë transporti mallrash do të jetë e para në Francë dhe shërbimet që ajo ofron duhet të jenë të disponueshme këtë vjeshtë.