As paqe as luftë, paketa "Bardhi" nuk zgjidh përçarjen në PD

Një ditë pas publikimit të propozimit të bërë nga Gazment Bardhi për paqen mes demokratëve, Lefter Gështenja thotë se demokratët janë të dënuar për të dalë në zgjedhjet vendore të 14 majit me një kandidat të vetëm, por jo domosdoshmërisht që kjo të ndodhë përmes primareve. Për Rtv Ora News Gështenja thotë se ky armëpushim është i vlefshëm deri në zgjdhje, ndërsa thotë se pavarësisht marrëveshjes me Berisha-Meta, këshillat bashkiakë nuk do t’i “falen” Partisë së Lirisë.

Bashkim me hir apo me pahir, por ajo që duket është fakti se kemi të bëjmë me një bashkëpunim të pasuksesshëm mes dy kampeve demokrate.

Deputeti Lefter Gështenja për Rtv Ora News thekson se në këtë pikë të diskutimeve mes grupeve negociatore për paqen mes demokratëve qëllimi i vetëm është dakorësia për të garuar me kandidatë të përbashkët më 14 maj.

Lefter Gështenja: "Jemi të dënuar të dalim me 1 kandidat. Në këtë fazë që jemi nuk mund të ketë bashkim. Mund të flasim për bashkim mekanik por duhet te jemi realiste. Ne e dimë çfarë ka ndodhur por për hir të demokratëve duhet të heshtim dhe sakrifikohemi"

E megjithëse dakordësohen në parim, në praktikë nuk ka një gjuhë të përbashkët. Platforma e paqes e propozuar nga Gazment Bardhi përjashton primaret, dhe kërkon një komision politik që do të bëjë filtrimin e emrave që kërkojnë të garojnë në vendoret e vitit të ardhshëm.

Por nga ana e saj selia blu e ka përqëndruar të gjithë vëmendjen në këtë proces pikërisht tek primaret, edhe pse kundërshtohet nga deputetët mbështetës të Enkelejd Alibeajt.

Lefter Gështenja: Në 32 vite nuk janë bërë zgjedhje të gjithë pranuara, as në politikë e as brenda partive. Përsa kohë nuk janë realizuar nuk presim të kemi një proces real me primaret. Nuk jemi në kushte ideale ta bëjmë

Nuk janë bere ndonjehere zgjedhje te pastra, do behen me primare sot? do ndahen mekeq demokratet

E ndonëse thotë se marrëveshja Berisha-Meta nuk i cënon negociatat mes demokratëve, Gështenja thekson se këshillat bashkiakë nuk do t’i “falen” Partisë së Lirisë.

Lefter Gështenja: Kuvendi vendor ka nevojë që çdo demokrat të përfaqësohet në këshillin bashkiak. Nuk mund ti jepet një partie tjetër.