“Raporti i EUROSTAT nxjerr zbuluar Ramën”, Bozdo: Gëzuar 1 nëntorin, ditën kur qeveria rriti çmimin e energjisë
Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo në një deklaratë për mediat tha se raporti i publikuar nga EUROSTAT mbi çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë, nxjerr lakuriq gënjeshtrën e Edi Ramës.
Teksa i referohet raportit në fjalë Bozdo thotë se vendet e rajonit dhe pse janë më të ekspozuara se Shqipëria në tregun e energjisë kanë çmime më të ulëta të energjisë.
Eno Bozdo: Raporti i sapo publikuar i EUROSTAT, mbi çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë, nxjerr lakuriq gënjeshtrën e Edi Ramës: Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, me përjashtim të Malit të Zi. Çka vlen të theksohet fort është fakti se vendet e tjera të rajonit, pavarësisht se janë shumë më të ekspozuara se Shqipëria në tregun e energjisë, dhe pa burime të brendshme prodhuese, kanë çmime më të ulëta të energjisë.
Arsyeja sipas Bozdos është se kanë aplikuar paketa ndihmëse për popullatën.
Eno Bozdo: Statistikat e EUROSTAT nuk marrin parasysh rritjen me më shumë se 4‒fish të çmimit të energjisë elektrike për familjarët që tejkalojnë fashën 800 kwh në muaj. Me këtë shtesë, Shqipëria do të mbetet vendi me energji më të shtrenjtë në rajon. Kjo është absurde duke ditur dy fakte: se ne nuk kemi asnjë varësi nga gazi rus; se ne mund të plotësojmë 100% të nevojave tona nga energjia e rinovueshme, që e prodhojmë me burimet tona ujore, që Zoti na i ka dhuruar me bujari!
“Çmimin e energjisë e kemi të lartë, dhe do ta kemi katërfish më të lartë, duke filluar që sot, jo sepse s`kemi mundësi, por sepse qeverisë nuk ia ndjen për konsumatorin, qytetarin, taksapaguesin. Gëzuar 1 nëntorin, ditën kur qeveria ta rrit çmimin e energjisë elektrike me katërfish”, tha Bozdo.
