Kosova zhgënjen BE-në: Qeveria e Kosovës nuk përfilli këshillat për targat e makinave
Bashkimi Evropian shprehu zhgënjimin që qeveria e Kosovës nuk dëgjoi këshillat e bllokut dhe të Shteteve të Bashkuara për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.
Bashkimi Evropian nuk e fsheh zhgënjimin e tij nga qeveria e Kosovës lidhur me çështjen e targave të makinave me Serbinë. BE thotë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat e vjetra, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative.
Ndonëse vendimi është një hap në drejtimin e duhur, thuhet në komunikatë, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët.
Më tej komunikata thekson se Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe Shtetet e Bashkuara. “Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur këshilla”, theksoi BE-ja në komunikatën e saj për shtyp.
Bashkimi Evropian nënvizon se është e domosdoshme ruajtja e qetësisë nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë qëndrueshmërinë në terren, veçanërisht në veriun e Kosovës”.
Qeveria e Kosovës vendosi të premten të “shkallëzojë” zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Me vendimin e qeverisë janë vendosur disa afate për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.
Sipas qeverisë nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari do të përdoren targat provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera në Kosovë.
Përveç Brukselit zyrtar, më herët edhe Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës refuzoi kërkesat për ta shtyrë afatin për zbatimin e vendimit për dhjetë muaj.
Vendimi nxiti edhe reagime të opozitës në Kosovë e cila kritikoi qeverinë se po dëmton interesat strategjike të vendit. Përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës paralajmëruan se do t’i kundërvihen vendimit të qeverisë në rastin e parë kur autoritete do të shqiptojnë gjobë për këtë çështje.
