“Përbetimet nuk vlejnë”, Kikia: Primaret kanë riskun e vetë, risi nëse bëhen reale

Gazetari dhe analisti Mentor Kikia në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj tha se primaret në PD janë një risi nëse do të bëhen reale.

Sipas tij dhe kjo mënyrë e zgjedhjes së kandidatëve ka riskun e vet sidomos në një situatë të tillë ku ndodhet PD pasi kandidati mund të gëzojë mbështetjen brenda PD por nuk dihet sa do të gëzojë mbështetjen e elektoratit gri.

Mentor Kikia: Primaret janë risi nëse do të bëhen reale. Përbetimet nuk besoj se vlejnë. Duhen parë rezultatet konkrete dhe organizimi i primareve është një risi për aq sa mund të jenë reale në një mjedis politik tejet të kontaminuar siç është mjedisi politik në Shqipëri. Këtu kandidatët për kandidat nuk emërohen nga kryetari i partisë siç ka ndodhur rëndom deri më tani por do të kalojnë përmes një lloj kuvendimi brenda partisë ku do të zgjidhet njeriu që ka sigurinë më të madhe të fitores.

“Duhet parë jo thjesht sa demokratike do të jetë partia, primaret i shërbejnë këtij demokratizimi, por se kë kandidat do të ofrojnë primaret pasi kjo ka riskun e vetë në stadin ku ndodhet PD. Primaret mund të ofrojnë njeriun që është më besnik në këndvështrimin e anëtarëve të PD por kjo nuk do të thotë se të njëjtin perceptim të njëjtin opinion mund të ndajnë votuesit në shkallë të gjerë. Do të duhet që kandidati të gëzojë dhe pëlqimin e votuesve të tjerë apo asaj që njihet si pjesa gri e elektoratit.”