Qeveria nismë për nënat me mbi tre fëmijë, u njeh vite pune kujdesin e fëmijës në 5 vitet e para të jetës

Pesë vitet e para që nëna kujdeset për fëmijët do të njihen si periudhë pune në buxhetin e viti 2023. Ministrja e Shëndetësisë sqaron se prej këtij vendimi përfitojnë ato që kanë më shumë se tre fëmijë dhe më i vogli është 5 vjeç.

Qeveria “Rama” prezanton projektin e saj për nxitjen e lindshmërisë në vend. Nënave shqiptare me më shumë se 3 fëmijëve, do t’u njihen 5 vitet e para të kujdesit të fëmijës si periudhë pune.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, sqaroi se Këshilli i ministrave vendosi që nga kjo nismë do të përfitojnë nënat me 3 fëmijë, dhe që nuk kanë më shumë të ardhura familjare mujore në më pak se 100 mijë lekë të reja.

“Do të mbështeten gratë, të cilat kanë më shumë se tre fëmijë, dhe njëri prej fëmijëve është deri në moshën 5 vjeç dhe ku të ardhurat familjare mujore nuk i kalojnë 100, mijë lekë të reja. Kjo është një politikë sociale, e cila synon që të njohë si vite pune periudhën e kujdesit të fëmijës në 5 vitet e para të jetës. Do të mundësohet nga fillimi i vitit tjetër me buxhetin e vitit 2023, njohja e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për 5 vitet e rritjes së fëmijës, së tretë, katërt e kështu në vazhdim, do të mbulohet nga buxheti i shtetit”.

Po ashtu Qeveria vendosi edhe amendimin e marrëveshjes me kompainë Pfizer për afro 700 mijë vaksina anti-Covid të paguara më herët.

“Vijmë në këtë akt normativ me një amendim të katërt të marrëveshjes bazë me kompaninë Pfizer për të siguruar që dozat të cilat ne i kemi parablerë dhe që pas ardhjes së furnizimit të parë kemi një riskedulim, ku rreth 700 mijë doza do të jenë doza të vaksinave të adaptuara apo vaksinave përforcuese, të cilat janë të adaptuara sipas varianteve BA1, 2, 4 dhe 5, duke garantuar kështu vaksinimin në vazhdim edhe përgjatë periudhës së dimrit dhe me dozat përforcuese”.

Vendime të tjera të cilat u morën nga mbledhja e qeverisë ishin edhe aplikimit të autonomisë spitalore i cili do të pilotohet si fillim në Spitalin Memorial Rajonal të Fierit dhe sigurimi i barnave hyjnë apo prodhohen e tregËtohen në vendin tonë.