Politikani brazilian hedh granata ndaj policisë në Rio de Zhaneiro

Një politikan brazilian është në paraburgim pasi hodhi granata ndaj policëve që erdhën në shtëpinë e tij për ta arrestuar, në Rio de Zhaneiro.

Roberto Jefferson, një aleat i presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro, plagosi dy oficerë përpara se të dorëzohej të dielën.

Përpara kësaj ngjarjeje një gjykatës i Gjykatës së Lartë, kishte urdhëruar ndalimin e tij për fyerje të kryetares së drejtësisë Carmen Lucia. Ai ishte tashmë në arrest shtëpiak për kërcënimin e saj.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Bolsonaro reagoi duke thënë se kushdo ka qëlluar ndaj policisë duhet të arrestohet.

Dy oficerët u plagosën nga një granatë gjatë sulmit në Levy Gasparian, në veri të kryeqytetit të shtetit Rio de Zhaneiro. Ata u dërguan në spital dhe më pas u larguan në banesat e tyre.

Z. Jefferson, ish-udhëheqësi 69-vjeçar i partisë politike PTB, gjithashtu qëlloi disa herë me një pushkë, duke thyer xhamin e përparmë të një makine policie.

Gjykatësi Alexandre de Moraes, kishte urdhëruar ndalimin e politikanit me arsyetimin se ka shkelur kushtet e arrestit shtëpiak, raporton BBC.

Tensionet politike janë të larta në Brazil përpara balotazhit të zgjedhjeve presidenciale të së dielës midis Bolsonaro dhe krahut të majtë Luiz Inácio Lula da Silva.

Lula da Silva, i cili ende shihet si kandidati kryesor, nuk arriti të mbledhë 50% të votave të vlefshme për të parandaluar një balotazh në raundin e parë në fillim të këtij muaji.