A është Xi Jinping, “Mao” i ri? Lideri i partisë komuniste përjashton paraardhësin e tij nga salla

Mori drejtimin e vendit për herë të tretë dhe konsolidoi pushtetin e tij, lideri i komunistëve kinezë Xi Jinping deklaron se Bota ka nevojë për Kinën! Por pamjet e ceremonisë së mbylljes së Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës denoncojnë fuqinë goditëse të Xi, ku shfaqet ish-presidenti i vendit duke u tërhequr zvarrë nga Pallati i Popullit kundër vullnetit të tij, ngjarje që ka shkaktuar një interes mbarëbotëror për atë çfarë po ndodh në Kinë.

Pasi siguroi mandatin e tretë si lider i Partisë Komuniste, Xi Jinping është shprehur se bota ka nevojë për Kinën.

“Kina nuk mund të zhvillohet pa pjesën tjetër të botës dhe bota gjithashtu ka nevojë për Kinën”, tha ai.

Më tej, Xi ka theksuar se vendi i tij ka pasur zhvillim të shpejtë sa i përket rritjes ekonomike dhe stabilitetit social.

Kujtojmë se Xi Jinping siguroi mandatin e tij të tretë pas Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës, në të cilin lideri 69-vjeçar konsolidoi më tej pushtetin e tij.

Por pamjet e ceremonisë së mbylljes së Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës po qarkullojnë ende në mbarë botën, duke treguar ish-presidentin e vendit Hu Jintao duke u tërhequr zvarrë nga Pallati i Popullit kundër vullnetit të tij.

Natyrisht, këto skena kanë ngritur shumë pikëpyetje, megjithatë, përgjigjet zyrtare erdhën nga media shtetërore dhe jo nga gojët zyrtare.

Dy arsyet më të mundshme për largimin e tij të detyruar janë se ose ishte një shfaqje simbolike e forcës nga presidenti Xi Jinping dhe fuqia aktuale politike e Kinës ndaj një lideri përfaqëson të kaluarën, ose se Hu Jintao ka probleme serioze shëndetësore.

Media shtetërore në Kinë zgjodhi të jepte shpjegimin e dytë, duke vënë në dukje ndër të tjera se Hu Jintao nuk po ndihej mire.

“Hu Jintao këmbënguli të merrte pjesë në ceremoninë e mbylljes… pavarësisht faktit se ai kishte qenë kohët e fundit në rimëkëmbje. Duke qenë se ai nuk ndihej mirë gjatë takimit, ekipi i tij, për hir të shëndetit të tij, e shoqëroi në një dhomë ngjitur për të pushuar. Tani është shumë më mirë”, sqaroi agjencia shtetërore e lajmeve.