Kitara elektrike bën histori, instrumenti "Fender", i projektuar para 75 vitesh ende mbetet ikonik

Kitara elektrike “Fender” shënon 75-vjetorin dhe vazhdon të bëjë histori rock. E preferuara e Jimi Hendrix dhe Eric Clapton, kitara e krijuar nga Fender Stratocaster ka joshur miliona kitaristë në mbarë botën gjatë dekadave.

Kompania “Fender” vazhdon të bëjë histori rock 75 vjet pas kitarave të saj të para. Kush do ta kishte menduar se një instrument i projektuar para kaq shumë dekadash mund të mbetet kryesisht i pandryshuar dhe të jetë ende ikonik si kurrë në ditët e sotme? Sado e pamundur të duket kjo, ky është rasti me Fender Stratocaster, i cili debutoi në 1954.

"Leo Fender nuk ishte një kitarist, por ai ishte një dëgjues fantastik. Dhe duke pasur një kompani audio, ai kishte muzikantë që rrinin në dyqanin e tij. Dhe ai thjesht ndjeu se mund të ndërtonte një instrument më të qëndrueshëm dhe më të fortë", shprehet Justin Norvell, nënkryetar ekzekutiv i produkteve të “Fender”.

I preferuari i Jimi Hendrix dhe Eric Clapton, Fender Stratocaster ka joshur miliona kitaristë në mbarë botën gjatë dekadave. Në fabrikën e Kalifornisë ku e ka origjinën krijuesi i saj, punonjësit vazhdojnë të ndjekin “recetën” e Leo Fender: Një trup i fortë druri dhe kthesa lehtësisht të identifikueshme.

"Kitara vintage është kërkuar kaq shumë dhe të gjithë duan ta imitojnë atë, kështu që ne në thelb po ndërtojmë një kitarë krejt të re që duket sikur është 50 vjeç, 60 vjeç," thotë Mark Kendrick mjeshtri i dyqanit me porosi të Fender.

“Fender” luajti një rol të madh në krijimin dhe zhvillimin e kitarës elektrike siç e njohim ne sot, dhe pavarësisht se çfarë marke tjetër njihni, është e sigurt se ka pak “Fender” në të.