"Formulari" vihen në sekuestro 60 mijë metra katrorë tokë në Himarë, 5 mbeten në burg
Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg për 5 nga 24 personat që janë nën hetim për tjetërsimin e rreth 60 mijë metra katrorë tokë në bregdet me vlerë që shkon deri në 8 milionë euro. Ndërkohë sot policia vendosi nën sekuestro preventive të gjithë tokën që dyshohet se është tjetërsuar
Policia e Vlorës ekzekutoi sot (22 tetor 2022) vendimin për sekuestro preventive të sipërfaqe 59.889 metra katror, me vlerë 8 000 000 euro, në zona bregdetare, në Himarë, Dhërmi dhe Gjilekë.
Ndërkohë Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë për 6 nga 24 personat që janë vënë nën hetim nga Prokuroria për tjetërsimin e mijëra hektarëve tokë në bregdetin e Himarës.
24 persona, mes të cilëve ish zyrtarë të lartë vendorë janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Vlorës për tjetërsimin e rreth 60 mijë metrave tokë në bregdetin e Himarës, me vlerë rreth 8 milion euro.
5 personave të arrestuar iu komunikua mëngjesin e së shtunës masa e sigurisë arrest në burg dhënë nga Gjykata edhe më herët ndërsa për Vasillo Mëhilli ndryshoi masën e sigurisë nga arrest në burg në detyrim paraqitje.
Ndërsa 8 persona të tjerë vijojnë të jenë lën masa e arrestit në shtëpi ndërsa 8 persona po hetohen në gjendje të lirë, nën masën e detyrimit të paraqitjes.
2 persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
Tokat me vlerë 8 milionë euro, ndodheshin në disa zona të Dhërmiut; Gjilekës; Jalit dhe të Livadhit.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit "Formulari"
Skema si u bënë pronarë të tokave në Dhërmi dhe Himarë
Gjatë veprimeve hetimore të kryera në funksion të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ka marrë të dhëna se prej punonjësve të Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë vitit 2020 e në vijim janë nxjerrë nga arkivat e kadastrës së Këshillit të Qarkut Vlorë dokumenta origjinale si Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, Akte të Marrjes së Tokës në Përdorim, Formularë nr.6 etj, dokumente të cila janë riprodhuar duke hequr origjinalet e ndara sipas ligjit.7501 “Për ndarjen e tokave bujqësore" duke i zëvendësuar ato me dokumente të riprodhuara dhe të falsifikuara, duke shtuar në to sipërfaqe fiktive të tokës në bregdet.
Dokumentat e falsifikuara janë rifutur në arkivën e D.A.M.T-së pranë Këshillit të Qarkut Vlorë si dokumente origjinale dhe nga ana e personave të interesuar është kërkuar kopje e njehsuar e tyre në rrugë zyrtare me kërkesë në Kadastrën e Qarkut Vlorë. Në vijim kopja e njehsuar e këtyre dokumentave pronësorë me shkresë përcjellëse u dërgohej personave të interesuar, Bashkisë Himarë ose Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, me qëllim për t`u përdorur më pas për dhënien e akteve të reja të pronësisë dhe hipotekimin e tyre pranë A.SH.K.Vlorë.
Gjatë hetimeve të kryera deri në këtë fazë të hetimit, mbi bazën e akteve të administruara si dhe akteve të ekspertimit tekniko-grafik të kryera nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, ka rezultuar e provuar se dokumentacioni i disa prej praktikave të sekuestruara që bëjnë fjalë për pasuri të regjistruara në zonën e Himarës dhe të Dhërmiut, ka rezultuar i falsifikuar.
