Ja çfarë ndodh gjatë një çrregullimi ankthi
Eduart Tafa, psikolog klinik në një intervistë në “Jeto me Orën” në RTV ORA ka folur rreth ankthit dhe çrregullimeve të ankthit.
Eduart Tafa: Rreth 350 miliona njerëz në nivel global vuajnë nga çrregullime të ankthit. Secili në një moment të caktuar të jetës mund të preket nga një çrregullim. Ankthi është një gjendje normale emocionale, bashkëudhëtari ynë gjatë gjithë jetës, e fuqizon motivin tonë, na mbron ndaj çdo lloj kërcënimi. Çrregullim i ankthit është ankth në nivel të lartë përtej kontrollit tonë. Na bllokon dhe funksionet bazë tonat. Ankthi është motivues deri në momentin që të jep rritje performancë.
Por cilat janë shenjat që shfaqen në rastet e ankthit?
Eduart Tafa: Kohëzgjatja dhe burimi janë kritere kryesore, shikojmë shenjat si individi ka vështirësi në kryerje të angazhimeve, prishje gjumi, prishje e regjimit të ushqimit, ulje vetëvlerëzimi, nervozizëm. Në aspektin social shohim një individ që redukton aktivitetet e jashtme, që e fusin në zonën e komfortit por fillon të izolohet. Ka frekuencë kardiake të shtuar, skuqje në trup, dhimbje në pjesë të ndryshme trupi, afshe. Sa u përket simtomave konjitive individi ka parashikim të gabuar, mendon aq shumë për një rrezik të mundshëm, ka frikë nga çmendja, nga vdekja. Simptoma pjellore, situata që i shmangim në shenjë ankthi e paniku, shtim i vizitave te mjeku si dhe shtim i medikamenteve.
Sipas tij në momentin që kemi parë shenjat e simptomat dhe nëse vijojnë për disa javë a muaj është momenti të ndizet alarmi dhe të shkojnë të kërkojnë për një ndihmë të specializuar.
Cilët janë faktorët që çojnë në shfaqjen e ankthit?
Eduart Tafa: Nëse një prind ka vuajtur jep një lloj predispozite për ta pasur fëmija por nuk duhet absolutizuar asgjë. Elementi biologjik pjesa e kimisë së trurit, disbalanca mes përbërësve kimik të trurit. Janë persona që vendosin kritere të arta te vetja deri në perfeksionizëm. Kemi stile të atashimit, lloji i prindërve që kanë pasur si dhe përvojat traumatike.

