Për çdo fjongo rozë mbi xhaketë shtoni një shërbim të sigurt dhe cilësor për trajtimin e grave të diagnostikuara me kancer

"Unë quhem Silvana Loka. Përpara 5 vjetësh u diagnostikova me tumor të gjirit.Në atë kohë isha 37-vjeçe. Ju nënshtrova heqjes së njërit gji dhe cikleve të kimios që erdhën pas saj".

Silvana Loka, psikologe e njohur që tashmë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pas 5 vitesh vijon trajtimin për sëmundjen e kancerit të gjirit.

As për të përballja nuk ka qenë e lehtë, ndaj këtë tetor theksin e vendos te diagnostikimi i hershëm.

"Beti më kërkoi që sot të isha me ju për të dhënë një mesazh në këtë tetor, një muaj dedikuar luftës për parandalimin e kancerit të gjirit dhe unë ndihem e privilegjuar të kem mundësinë ti flas secilit prej jush.Së pari ju ftoj të gjithëve, gra dhe burra, të prekur apo jo nga kanceri i gjirit,së pari të festoni mbijetesën e atyre që ja kanë dalë si një festë e madhe që dëshmon faktin se diagnostikimi i hershëm realisht shpëton jetë.

Dhe sigurisht që bashkë me mbijetesën e grave të diagnostikuara me kancerin e gjirit sot është dita tu jemi mirënjohës të gjithë doktorëve, infermierëve dhe ndoshta mbi të gjitha familjarëve dhe miqve që na u gjendën pranë për të ndarë dhimbjet dhe frikërat tona edhe kur nuk e dinin se çfarë do të sillte e nesërmja.

Kanceri i gjirit nuk është sëmundja e grave, por e familjes dhe shoqërisë dhe si e tillë çdo rast mbijetese duhet të shërbejë si arsye e mirë për t'ju gëzuar jetës. Sigurisht që ky është një muaj dhe për të kujtuar të gjitha ato që nuk ja kanë dalë dhe fatkeqësisht ato janë shumë. Për të gjithë ju që keni humbur nënën, gruan, bijën, motrën, shoqen tuaj, ju dërgoj një përqafim të ngrohtë dhe ju lutem të besoni se lufta e tyre është bërë më e lehtë pikërisht prej pranisë tuaj në jetën e tyre.

Lutem që zemrat tuaja të lehtësohen nga dhimbja dhe dhimbja të mund një ditë të kthehet në forcë për tu bërë një zë për të nxitur të gjithë gratë dhe vajzat të bëjnë kontrolle të hershme të gjinjve të tyre. Nga ana tjetër nuk mund të flasim për kancerin e gjirit dhe të theksojmë vetëm rëndësinë e jashtëzakonshme të diagnostikimit të hershëm. Pas diagnostikimit vjen ndërhyrja dhe pas ndërhyrjes trajtimi.

Dhe e vërteta është se në Shqipëri kjo pjesë, pra çfarë vjen pas diagnostikimit, për pjesën më të madhe të grave kthehet në betejën më të madhe. Edhe më e madhe sesa thjesht shpëtimi i jetës, për shkak të mungesave në sistemin shëndetësor."

Është trajtuar në spitalet e Shqipërisë, ndaj i di mirë vështirësitë që hasin gratë dhe vajzat në pavionet e Onkologjikut.

Në muajin dedikuar luftës kundër kancerit të gjirit ajo bën thirrje për më shumë shërbime për pacientet e prekura nga kjo sëmundje.

"Dua që mesazhin tim për këtë tetor t'ja kushtoj pikërisht thirrjes për më pak fjongo rozë mbi bluza, më pak lekë të shpenzuara në konferenca dhe mbrëmje Gala në emër të tetorit rozë dhe më shumë buxhet serioz në drejtim të diagnostikimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit.Një grua e diagnostikuar ka nevojë për një shtrat të sigurt në spital,për higjienë absolute ndërkohë që është në spital,për medikamente të kimios që mungojnë dhe për të cilat ajo vetë bashkë me familjarët duhet të shesin shpirtin për ti gjetur në rrugë të tjera.Një grua e diagnostikuar me kancerin e gjirit, aty në krevatin e spitalit Onkologjik, nuk mendon fare për fjongon rozë. E vetmja lutje e saj është të dalë gjallë nga kjo luftë.

Ajo është e gatshme të bëjë pjesën e saj për të fituar, ashtu me shpirt e shtrënguar mes dhëmbëve. Familjarët e saj janë të gatshëm të falin shpirtin e tyre që e dashura e tyre të jetojë. Pjesa tjetër i mbetet doktorit dhe spitalit.Dhe kjo është shpesh herë dhe pjesa që vendos fatin e gruas së diagnostikuar me tumor të gjirit. Sot kam një lutje. Diagnostikimi i hershëm është prioritar dhe për këtë të edukojmë gratë dhe vajzat. Kurimi është detyrë e shtetit dhe për këtë le të edukojmë shtetin.Politikat shëndetësore për trajtimin e kancerit të gjirit nuk duhet të jenë më çështje politike.

Sot dhe gjithë ditën gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit kanë nevojë për mbulim të plotë të sigurt të trajtimit të kancerit të gjirit. Nga unë një thirrje të fundit.Për çdo fjongo rozë mbi xhaketë shtoni një shërbim të sigurt dhe cilësor për trajtimin e gruas së diagnostikuar me kancer. Të dashur miq dhe mikesha, nga shumë larg ju uroj një jetë të gjatë dhe të shëndetshme! Më besoni, pas një jete të shëndetshme, gjithçka tjetër është veçse e mirë".