Karantinë për Ebolan në Ugandë, autoritetet urdhërojnë 3 javë shtetrrethim gjatë natës
Vdekja e mbi 19 njerëzve si pasojë e Ebolas në Ugandë ka sjellë shqetësim për OBSH-në dhe autoritetet e vendit. Presidenti ka urdhëruar karantinë, ndërsa shkencëtarët janë të shqetësuar për këtë variant të ri të Ebolas.
Presidenti i Ugandës urdhëroi të shtunën që vendi të kalojë në karantinë për 3 javë për shkak të shfaqjes së rasteve me Ebola.
Autoritetet kanë urdhëruar që të mbyllen vendet e adhurimit dhe argëtimin dhe lokalet për të kufizuar lëvizjen për përhapjen e Ebolas.
"Këto janë masa të përkohshme për të kontrolluar përhapjen e Ebolës. Të gjithë duhet të bashkëpunojmë me autoritetet, në mënyrë që t'i japim fund këtij shpërthimi në kohën më të shkurtër të mundshme," thanë autoritetet.
Deri më tani 19 njerëz kanë vdekur si pasojë e kësaj sëmundjeje të rëndë. Vendi afrikano-lindor njoftoi shpërthimin e etheve hemorragjike vdekjeprurëse më datën 20 shtator.
Edhe autoritetet e Organizatës Botërore të Shëndetit janë të shqetësuar për këtë shpërthim të Ebolas, ndërsa po bëjnë gati masat e ndihmës për vendin afrikan.
Ebola është virus vdekjeprurës, me simptoma fillestare të cilat mund të përfshijnë ethe të papritura, dobësi të fortë, dhimbje muskujsh dhe dhimbje fyti.
Shkencëtarët janë të shqetësuar se nuk ka një vaksinë të certifikuar për këtë lloj Ebole.
Më herët, varianti Zaire ishte përgjegjës për shpërthimin më të madh të Ebolës në Afrikën Perëndimore, nga dhjetori 2013 deri në 2016-ën, ku më shumë se 11,000 njerëz vdiqën.
