Përgatiteshin për luftë, vriten në bazë 11 ushtarë vullnetarë rus nga 2 persona të armatosur

Dy persona të dyshuar nga Taxhikistani kanë sulmuar një nga bazat e vullnetarëve të Rusisë. 11 persona kanë mbetur të vdekur dhe 15 të tjerë janë plagosur. Për ngjarjen ka reaguar edhe qeveria e Ukrainës duke theksuar se agresorët ishin nga Taxhikistani dhe shkak është bërë një debat fetar

11 persona mbetën të vrarë dhe 15 të tjerë u plagosën, nga një sulm me armë zjarri në një garnizon rus në rajonin Belgorod të Rusisë, i cili gjendet pranë kufirit me Ukrainën.

Viktimat mësohet se ishin vullnetarë të ushtrisë së Moskës, të cilët po përgatiteshin për tu dërguar në frontin e luftës.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se agresorët e këtij sulmi ishin 2 persona, ndërsa ka akuzuar e ata ishin me origjinë nga një vend i ish-republikave sovjetike.

Guvernatori i rajonit të Belgorod tha pas ngjarjes se kjo ishte diçka e tmerrshme që kishte ndodhur në një prej njësive ushtarake, duke shtuar më tej se nuk kishte asnjë viktimë apo persona të plagosur nga banorët e zonës.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe edhe një prej këshilltarëve të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Oleksiy Arestovych nëpërmjet rrjetit social Youtube tha se autorët ishin me origjinë nga Taxhikistani dhe se sulmi ndodhi pas një debati fetar.

Taxhikistani është një vend me shumicë dërrmuese të besimit fetar mysliman, ndërsa Rusia konsiderohet si një nga qendrat e mëdha të besimit ortodoks.