Xi Jinping si Mao Ce Duni, kongresi i XX i partisë komuniste, Xi drejt mandatit të tretë

Liderët më të rëndësishëm kinezë janë mbledhur në Pekin në kuadër të Kongresit të XX të Partisë Komuniste. Lideri Xi pritet të konfirmohet për një mandat të tretë, ndërsa analistët po ndjekin me kujdes Kongresin për të parë linjën ekonomike kineze dhe si do të përvijohet me Tajvanin.

Ka nisur në Pekin këtë të dielë kongresi i XX i Partisë Komuniste që pritet të certifikojë një mandat të tretë për liderin kinez Shi Xhin Ping.

Nën ethet e një beteje tregtare me amerikanët, kinezët pritet të ndërtojnë planet e tyre për të konkurruar me amerikanët në sektorin e teknologjisë së avancuar dhe fusha të tjera.

Analistët ndërkombëtarë po presin me kujdes se si do të afishohet sistemi i ri ekonomik kinez, i ashtuquajtur socializmi me fytyrë kineze.

Rreth 2,300 delegatë u mblodhën në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, ndërsa fjalimin hapës e mbajti lideri kinez Xi.

Një pikë në të cilën amerikanët dhe kinezët kanë përplasje është Tajvani. Vendi ishullor ka mbështetjen amerikane për ruajtjen e sovranitetit, ndërsa kinezët kanë shkaktuar provokime të shumta kohët e fundit ndaj fqinjit të tyre.

Kongresi pritet të vazhdojë për një javë ku do të merren vendime të rëndësishme për çështje të filozofisë politike, gjeopolitikës dhe ekonomisë.