“Laboratori i drogës”/ Sfumohet operacioni në Shkodër, avokati: Dramë e shoqërisë, 12 gra në burg për bukën e gojës
Gjykata e Shkodrës la në burg vetëm tre nga 16 personat e arrestuar për laboratorin e kanabisit të zbuluar në këtë qytet ditët e fundit. Mes personave të liruar nga qelia janë edhe 11 gra nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që ishin punësuar atje. Avokatët thanë se ky rast tregon dramën e shoqërisë, pasi 12 gra lanë familjet e tyre dhe përfunduan në burg ndërkohë që kishin shkuar për të nxjerrë bukën e gojës.
Gjykata e Shkodrës liroi shumicën e personave të arrestuar nga policia gjatë aksionit të koduar me emrin "Qarku" që zbuloi një laborator droge në këtë qytet.
Nga 12 gratë e arrestuara, në qeli do të qëndrojë vetëm Danjela Hasani, 42 vjeçe, nga Kombinati, me precedent penale dhe e akuzuar si organizatorja që ka gjetur punëtoret e laboratorit të kanabisit.
Gjykata la në burg edhe dy anëtarë të familjes Gjoni, por avokati i tyre theksoi se ky rast në fakt nxjerr në pah krizën që po kalon Shqipëria dhe plagët e shoqërisë.
Mbrojtësit ligjorë thanë pas seancës se gratë e arrestuar nuk kanë pasur dijeni për lëndën narkotike, pasi u është thënë se do të pastronin sherebelë.
"Nga 16 të arrestuar, gjykata vendosi arrest me në burg për tre persona, arrest në shtëpi për dy persona, ndërkohë për 11 gra vendosi caktimin e masës së sigurimit detyrim paraqitje. Ishte një vendim shumë i drejtë në përgjithësi. Rasti tregon gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare ku 12 zonja kanë qenëdruar tre ditë në burg.
Sheh vetëm dy rrugë për të mbijetuar, njëra largimi nga Shqipëria dhe tjetra është krijimi i mundësive të tilla për të siguruar bukën e gojës.Ato nuk kishin dijeni, kanë ardhur për të pastruar sherebelë por sapo kanë ardhur janë arrestuar dhe e kanë kupruar se bëhet fjalë për diçka të paligjshme.Të gjitha gratë janë liruar me përjashtim të njërës që mbeti në burg. Vendimi do apelohet për ata në arrest shtëpie dhe në arrest me burg".
Policia e Shkodrës njoftoi sekuestrimin e një sasie prej 86 kilogramë kanabis, bashkë me dy ventilatorë që shërbenin për tharjen e bimëve narkotike, në ambiente të menaxhuara nga familja Gjoni.
Në pranga gjatë aksionit ranë pesë anëtarë të kësaj familje, Zef Gjoni, 56 vjeç dhe bashkëshortja Antoneta Gjoni, 55 vjeçe si dhe tre djemtë e tyre.
Sipas policisë, dyshohet se Pjetër Gjoni, grumbullonte bimë narkotike me qëlim përpunimin dhe përgatitjen për shitje.
