"Mos pushoni kurrë së ëndërruari", në ditëlindjen e 78-të Berisha mesazh të rinjve në Tik Tok
Beteja e ardhshme elektorale duket se fokusin do ta ketë në rrjete sociale. Kryetarët e partive kryesore janë shtrirë në të gjithë platformat sociale.
Surpriza ishte Sali Berisha në TikTik paçka se është i njohur pasioni i tij për teknologjinë. E ndërsa festoi ditëlindjen e tij të 78-të sot, ai falenderoi ndjekësit në Tik Tok për urimet për ditëlindje.
Ai apeloi të rinjtë që të mos pushojnë së ëndërruari dhe të duan vendin e tyre.
Sali Berisha: Të dashur miqtë e mi të dashur të Tik Tokut. Sot jam 78 vjeç. Nga kjo vjeshtë e bukur e jetës sime dua t’ju dërgoj një mesazh të gjithëve ju. Në moshën tuaj unë dhe bashkëmoshatarët e mi kishim shumë ëndrra por nuk mund ti realizonim se jetonim të shtypur në një diktaturë të egër komuniste.
Eksperienca më e hidhur për mua e atyre viteve ishte bindja e krijuar se gjërat nuk do të ndryshonin kurrë. Nga biseda këto vite me të rinjtë konstatoj se kjo bindje ekziston edhe tek ata dhe shumë kërkojnë me të drejtë të largohen nga Shqipëria. Dy gjëra të vyera që më kanë ndihmuar gjatë rinisë sime të kaloj vështirësitë dua t’jua sugjeroj.
Së pari, mos pushoni kurrë së ëndërruar së dyti duajeni gjithmonë Shqipërinë. Nëse e bëni të parën do keni gjithmonë shpirtin të bëni gjithçka. nëse bëni të dytën forcat tuaja do të shumëfishohen e do kapërceni çdo pengesë e vështirësi. E di që keni ëndrra fantastike. Le të bashkohemi. Ju me forcën, pasionin, energjinë, mençurinë tuaj do ti realizoni ëndrrat në realitetin më të bukur të jetës suaj dhe shoqërisë tonë. Ju përqafoj të gjithëve.