“Stefano Ricci” feston 50-vjetorin/ Shfaqje mode në tempullin e lashtë të Egjiptit

Tempulli i faraonit të lashtë Egjiptian, Hatshepsut, është kthyer në një shfaqje mode. Shtëpia luksoze italiane, Stefano Ricci, ka përzgjedhur këtë destinacion për sfilatën e radhës, teksa shënon 50-vjetorin e themelimit.

Marka luksoze italiane “Stefano Ricci”, e cila feton 50 vjetorin, ka organizuar një shfaqje mode në tempullin e faraonit të lashtë Egjiptian Hatshepsut, pranë qytetit jugor të Egjiptit, Luxor.

Linja e meshkujve është ndër më të shtrenjtat në Europë. Niccolò Ricci, CEO i markës shpjegon pse ky destinacion:

"Me Stefano Ricci, ne vendosëm në shoqërinë tonë të festojmë 50- vjetorin tonë në Luxor sepse është një qytet që është i lidhur me familjen tonë për shumë vite.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Njëzet vjet më parë, ne bëmë një libër mbi bukurinë e këtyre tempujve dhe kësaj lugine dhe ne e kuptojmë se si filloi bukuria e modës mijëra e mijëra vjet më parë. Dhe si fiorentinë, ne po marrim frymëzim nga rilindja, por luksi i vërtetë, besojmë se është bërë në Luxor , në ato kohë," tha ai.

Kjo sfilatë është një mundësi tjetër për të nxjerrë në pah diversitetin e destinacioneve turistike të Egjiptit. Nga ana tjetër marka është ndikuar nga krizat që po përjeton bota, përfshi edhe ndryshimet e klimës.

“Natyrisht po bëjmë gjithçka që është e mundur nga objekti ynë në Firence, për të reduktuar emetimet. Por gjithashtu me zinxhirin tonë të furnizimit, pra nga prodhuesit e lëkurës, ne po hyjmë në një rrugë ku çdo vit reduktojmë me aq sa mundemi ndikimin në mjedis,” deklaroi ai.

“Stefano Ricci” është një kompani luksoze e modës dhe stilit të jetesës për veshje për meshkuj e themeluar nga stilisti fiorentin Stefano Ricci.

Marka njihet globalisht si shprehje e cilësisë absolute në sferën e markave luksoze të stilit të jetesës dhe veshjeve për meshkuj.