Festivali i Filmit Aziatik, Koreja e Jugut çimenton statusin si një fuqi kulturore globale

Festivali më i madh i filmit në Azi i rikthehet normalitetit të plotë pas pandemisë. Yjet e kinemasë aziatike, regjisorë dhe producentë janë mbledhur në qytetin portual të Busanit për të diskutuar projektet e tyre më të fundit. Koreja e Jugut e ka çimentuar statusin e saj si një fuqi kulturore globale vitet e fundit, kjo edhe falë suksesit shpërthyes të filmit fitues të çmimit Oskar "Parasite" dhe serialit Netflix "Squid Game".

“Ndihemi me fat që jemi në gjendje të luajmë sërish rolin e festivalit më të mirë të filmit në Azi”, është shprehur drejtori i festivalit Huh Moon-young.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Ngjarja mirëpriti të ftuar të profilit të lartë, si regjisori i famshëm japonez Hirokazu Kore-eda, i cili prezantohet me filmin "Broker", i cili u shfaq në festivalin e filmit në Kanë në fillim të këtij viti.

Në tapetin e kuq parakaluan edhe aktorët kryesorë koreanë dhe yjet aziatikë, përfshirë legjendarin e Hong Kongut, Tony Leung.

Ngjarja u hap me filmin "Scent of wind", të regjisorit iranian Hadi Mohaghegh, i cili tregon historinë e një babai dhe një djali, që të dy kanë aftësi të kufizuara, dhe jetojnë në një fshat të largët.

Festivali do të shfaqë 243 filma nga 71 vende, përfshirë 89 që do të kenë premierën e tyre botërore dhe do të zgjasë deri më 14 tetor.