Festivali Tipologjik i Sazeve/ Mjeshtrat e muzikës popullore bëhen bashkë në Kolonjë
Mjeshtrat e muzikës popullore janë bërë bashkë në Kolonjë në edicionin e 12 të Festivalit të Sazeve, një aktivitet që synon ruajtjen e traditës
Këngët e tyre shoqërojnë gëzimet. Muzika që luajnë ndjehet dhe të bën të kërcesh.
Mjeshtrat janë bërë bashkë në Kolonjë në edicionin e 12 të Festivali Folklorik Tipologjik i Sazeve Popullore.
Mbartës të vlerave më të mira popullore, të cilat po I përcojnë edhe tek më të rinjtë, që tradita të mos ndalet.
"Neve kemi rinovuar grupin. Kemi një djalë 14-vjeçar që i bie klarinetës në mënyrë të përkryer," tha Trifol Qyli - Sazet e Dimalit.
Për tre netë do të shpalosin më të mirën e zonave që përfaqësojnë në skenë mes Leskovikut dhe Ersekës.
"Duhet të trashëgojnë artin e kulturën dhe tabanin popullor," tha Ervis Rrapaj - Sazet e Këlcyrës.
14 grupe janë pjesë e garës, ndërsa 2 të tjera do të përshëndesin festivalin e sazeve.
"Risjellim përsëri në vëmendje vlerën që ka trashëgimia kulturore jomateriale për trashëgimin e tyre ndër breza," tha Niko Kotherja.
Më të mirët do të vlerësohen nga një juri profesioniste pjesë e të cilës është edhe Mjeshtri i Klarinetës, Fatos Qerimi.
"Është një traditë që i ka dhënë personalitet artistëve të muzikës tradicionale. Historikisht ka qenë kjo," tha ai.
Veç ruajtjes dhe promovimit të muzikës popullore, festivali u jep gjallëri qyteteve ku organizohet.
