Tinguj me ndjesitë e çastit, “Festivali i Improvizimit në Piano” rikthehet në Shkodër
Artisti ngjitet në skenë pa repertor të parapërgatitur dhe muzika që krijon është rezultat i ndjesive dhe emocioneve që i krijon momenti dhe njerëzit. Festivali unik në Ballkan i improvizimit në piano, po kthehet në traditë në Shkodër
Një performancë ndryshe, që bazohet tek improvizimi i çastit dhe jo e bazuar tek një repertor i parapërgatitur.
Artisti italian Alfonso Santimone erdhi në Shkodër si I ftuari special i edicionit të dytë të “Piano Improvisation Festival”
“Robertin, e njoh prej 20 vitesh, që kur ishte një djalosh i ri dhe më fliste shpesh për Shkodrën. Jam shumë i lumtur që më ka ftuar në këtë festival që po e çon përpara në edicionin e dytë! Është një Project ambicioz që duhet mbështetur. Sa i përket Shkodrës, mund të them që është qytet tërheqëse.”
Njohës i thellë i muzikës folklorike të popujve, transversal dhe eklektik, Santimone është në gjendje të endet nga bota e të ashtuquajturit black jazz deri në traditën bashkëkohore europiane të kompozimit.
“Të luash vetëm dhe të improvizosh është një emocion i veçantë sepse je i çarmatosur përpara publikut në një farë mënyre Nga ana tjetër është një avantazh të vazhdosh rrugën, sepse nuk është askush të të diktojë. Pra je I lirë të shprehësh idetë dhe emocionet që të krijojnë njerëzit dhe vendi.”
Nën drejtimin artistik të Robert Bishës, ky është një festival-ritual, unik në gadishullin ballkanik, i bazuar në të gjitha gjuhët që përfshijnë dhe kanë si udhërrëfyes të tyre improvizimin.
Koncerti organizohet nën kujdesin e bashkisë Shkodër, institutit italian të kulturës dhe qendrës rinore Arka.
