Në Kremlin thuren "lavdi" për zhvillimet në front, por bashkëpunëtori i ngushtë i Putinit thotë: Po humbim!

Pakënaqësia me rrjedhën e luftës në Ukrainë, ku forcat e Kievit kanë arritur të rimarrin brenda pak javësh territorin që kishin humbur që nga fillimi i pushtimit, ka arritur edhe në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve të Vladimir Putinit.

Të paktën një nga anëtarët e rrethit të presidentit rus shprehu drejtpërdrejt pakënaqësinë e tij para Putinit, sipas informacioneve nga shërbimet amerikane.

Mospajtimi i tij kishte të bënte me keqmenaxhimin e përpjekjeve të luftës dhe gabimet e udhëheqjes ushtarake.

Kritika për presidentin rus, thekson Washington Post, e cila publikon informacionin përkatës, është një tregues i qartë se bërthama e udhëheqjes në Moskë është e mërzitur për situatën në front, e cila ka çuar në rekrutim të pjesshëm, rezultatet e të cilit mbeten për t'u parë nëse ka të tilla.

Gazeta amerikane gjithashtu vë në dukje se informacioni për pakënaqësinë është përfshirë në konferencën e përditshme të presidentit amerikan Joe Biden.

Emri i bashkëpunëtorit të Putinit nuk përmendet në publikim, megjithëse është përfshirë në raportet drejtuar presidentit.

Rrethi i ngushtë i Putinit përbëhet nga shumë pak njerëz që Putini i njihte nga koha e tij në KGB apo komunën e Shën Petërburgut.

Edhe ata vështirë se sjellin lajme të këqija për një lider që duket gjithnjë e më i izoluar se kurrë.

Zyrtarët perëndimorë i thanë gazetës në kushte anonimiteti se që nga fillimi i luftës kishte shenja shqetësimi midis bërthamës së ngushtë të bashkëpunëtorëve.

Viktimat, gabimet e udhëheqjes ushtarake dhe dështimet shtuan shqetësimin.

“Shumë janë ata që janë të bindur se gjërat nuk po shkojnë mirë”, vëren një zyrtar.

Zëdhënësi i Kremlinit dhe krahu i djathtë i Putinit, Dmitry Peskov nuk e mohoi ekzistencën e mosmarrëveshjeve.

Por ai ia atribuoi këtë, në një deklaratë për Washington Post, një argumenti rutinë për çështjet e brendshme.

"Kjo nuk është një shenjë e një përçarje," tha ai.

Në një nivel më të ulët dëgjohen kundërshtimet nga krerët e komisioneve parlamentare për rrjedhën e luftës.

Nga ana e tyre, zyrtarët evropianë theksojnë se kritikat ndaj Putinit janë " thika pas shpine" edhe brenda Kremlinit.

Ai përshkruhet si "kokëfortë dhe i fiksuar pas Ukrainës" edhe pse jo të gjithë në rrethin e tij e ndajnë këtë obsesion.

 Madje thonë se në Kremlin “fajësojnë njëri-tjetrin” për gabime dhe kërkojnë një kokë turku.

Mosmarrëveshjet duket se po shtrihen jashtë Kremlinit.

Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov ka qortuar publikisht një oficer të lartë, duke thënë se duhet të ulet në detyrë.

Më pas ai vetë u gradua gjeneral-lejtnant me vendim të Putinit.

Kadyrovit iu bashkua Yevgeny Prigozhin, themeluesi i kompanisë mercenare Wagner, duke shkuar më tej: Drejtuesit e ushtrisë "janë mbeturina".