Gafa në konkursin e bukurisë, miss-et ukrainase dhe ruse në dhomë së bashku

Olga Vasiliv dhe Ekaterina Astashenkova, përkatësisht miss-et ukrainase dhe ruse, u vendosën nga organizatorët në të njëjtën dhomë. Të dyja u kualifikuan për në finalen e konkursit të bukurisë Miss Grand International në Xhakartë të martën më 25 tetor.

Olga, e cila përfaqëson Kievin, protestoi menjëherë me një postim në Instagram: "Nuk dua të rri në një dhomë me një grua nga një vend terrorist, që vjen nga ajo copëz e neveritshme e planetit tonë të bukur."

Misset u ndanë menjëherë pasi fjalët e saj bënë bujë. Organizatorët e eventit nxituan t'i jepnin Olgës një dhomë tjetër.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

 Miss-i ruse, Ekaterina, i zgjati dorën koleges së saj dhe tha: "Unë jam kundër urrejtjes dhe pro miqësisë, dashurisë dhe paqes në botë". Përveç kësaj, ajo saktësoi gjithashtu se familja e saj është ukrainase dhe shpjegoi: "Unë jam e vetmja nga familja ime që kam lindur në Rusi. Të gjithë të tjerët janë ukrainas".

Olga u shpreh se nuk kishte asgjë personale me konkurrenten, por nuk mund të ndante të njëjtin mjedis me një person që vinte nga vendi terrorist.

 "Më besoni, unë jam për paqen, për dashurinë, për miqësinë dhe mbështetjen, por jo për ata që nuk mund t'i fal. Jo për ata që torturojnë vëllezërit dhe motrat e mia. Jo për ata që morën jetët e kaq shumë shokëve ukrainas. Në konkursin Miss Grand International qëllimi im është t'i tregoj botës për vendin tim, shpirtin tonë ukrainas, bukurinë tonë, forcën tonë dhe gjithçka që po durojmë tani."