Çmimi Nobel për paqe shkon për aktivistin Ales Bialiatski, organizatën ukrainase dhe atë ruse
Çmimi Nobel për Paqe këtë vit iu dha Ales Bialiatski dhe dy organizatave: organizatës ruse të të drejtave të njeriut "Memorial" dhe organizatës ukrainase të të drejtave të njeriut "Qendra për Liritë Civile".
Ales Bialiatski është një udhëheqës qytetar bjellorus dhe aktivist i të drejtave të njeriut, i njohur për punën e tij me Qendrën për të Drejtat e Njeriut "Viasna". Në vitin 2020, ai fitoi çmimin Right Livelihood, i njohur gjerësisht si "Çmimi Alternativ Nobel". Që nga 14 korriku 2021, ai është burgosur nën akuzën për evazion fiskal.
Qendra për Liritë Civile është një nga organizatat kryesore të Ukrainës për të drejtat e njeriut. Ajo u themelua në vitin 2007, kur udhëheqësit e organizatave të të drejtave të njeriut nga nëntë vende post-sovjetike vendosën të krijojnë një qendër mbështetjeje për burimet ndërkufitare në Kiev.
Që nga themelimi i saj, QLC ka monitoruar persekutimet politike në Krimenë e pushtuar, ka dokumentuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit gjatë luftës në Donbas dhe ka organizuar fushata ndërkombëtare për lirimin e të burgosurve politikë të Kremlinit.
Memorial është një nga organizatat më të vjetra të të drejtave të njeriut në Rusi. Për më shumë se 30 vjet, Memorial punoi për të rikuperuar kujtimin e miliona njerëzve të pafajshëm të ekzekutuar, të burgosur ose të persekutuar në epokën sovjetike. Organizata u mbyll vitin e kaluar.
Në dhjetor 2021, Gjykata e Lartë e Rusisë urdhëroi mbylljen e Memorial dhe degëve të saj rajonale sepse kishte shkelur ligjin e agjentëve të huaj të vitit 2012.
Çmimi Nobel për Paqe, që ndahet çdo vit, nderon individë apo organizata që "bëjnë angazhimin më të madh për të mirën e njerëzimit dhe miqësisë mes kombeve".
Fituesit e Nobelit u shpallën të premten në Oslo nga Berit Reiss-Andersen, kryetare e Komitetit Norvegjez të Nobelit.
