SPAK, arrestime për show/ Manjani: Gjykata veproi drejt që liroi Bllakon, me të njëjtën drejtësi të lirojë Kokën
Juristi, Ylli Manjani, e sheh paaftësi të SPAK lirimin nga burgu të Alqi Bllakos. Për Rtv Ora ai thotë se përsa kohë SPAK do të vijojë të bëjë arrestime për show pa kopsitur dosjet do vijojmë të kemi këtë situatë.
Manjani: Nuk duket ti kenë kopsitur letrat prokurorët por kjo nuk do të thotë se Alqi Bllako, Lefter Koka dhe gjithë të tjerët janë pa faj, të paakuzueshëm. Por nuk është e thënë që për çdo gjë tregohet burgu. Në Shqipëri dhe veçanërisht në juridiksionin e SPAK, arrestet me burg janë më tepër të natyrës show. Ta fusim njëherë brenda se gjejmë diçka. Një lojë për të treguar idenë se reforma në drejtësi po funksionon. Harrojnë që një ditë njerëzit që kanë futur në burg dhe do dalin, nuk do rrinë gjithë jetën në burg.
Ai thotë se edhe akuzat ndaj ish-ministrit Lefter Koka nuk duket bindëse.
Manjani: Standard i dyfishtë, nuk ka barazi para ligjit. Nëse sekretari i Përgjithshëm i Lefter Kokës që ka firmosur letrat nuk qenka kaq i rrezikshëm, nuk ka pse të jetë Lefteri, sepse në hierakinë adminstrative para se të firmos Ministri firmos Sekretari i Përgjithshëm njëherë. Edhe akuzat e ngritura për Lefter Kokën nuk duken bindëse. Duket se kallëzimet e ish-LSI kanë çuar në këto arrestime. Nëse është vetëm kaq, jam i keqardhur të konstatoj që SPAK të funksionojë me kallëzime partiake politike për inate apo qejfe partish.Në shoqërinë demokratike nuk mund të futen në burg njerëzit se do partia X apo Y. Edhe mbajmë në paraburgim, edhe hetojmë, është çmenduri!
Në gjykimin e tij, Gjykata ka vepruar drejt që e liroi Bllakon dhe po me të njëjtën drejtësi duhet liruar dhe Lefter Koka.
Manjani: Ti je i korruptuar është opinion, ta dënosh për korrupsion është ta kapësh para fakteve. Ku janë lekët e korrupsionit? Nuk kam dëgjuar që Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos ti jenë gjetur lekë korrupsioni. Ku janë lekët e korrupsionit? Nuk ka. Si e mban tjetrin në burg me akuzë për korrupsion? Fëmijët e atij nuk kanë pse ta vuajnë këtë histori, ai mund të jetë ende nën akuzë por mund të jetë nga shtëpia. E njëjta gjë dhe Lefter Koka. Pse duhet të jetë në burg, të kënaqet populli?
Ish-ministri i Drejtësisë thotë se afera e incineratorëve nuk është hetuar ende në mënyrë serioze.
Manjani: Duhet të fillonte nga arrestimi dhe bllokimi i kompanive që kanë marrë këtë punë. Kompanitë vazhdojnë marrin lekë, pronarët janë zhdukur jashtë.
