Shtohen rastet me skoliozë| Çantat e shkollës po kërrusin fëmijët

Çantat e shkollës po dëmtojnë shëndetin e fëmijëve. Mjekët thonë se arsyet janë të shumta të shfaqjes së skoliozës, variojnë nga çantat e rënda të shkollës, qëndrimi për një kohë të gjatë në telefon apo mungesa e aktivitetetit fizik.

Çantat e shkollës po kërrusin fëmijët. Nxënësit thonë se ato u rëndojnë shumë dhe shpesh u shkaktojnë dhimbje shpine e qafe.

"Në këto momente po ndjej shumë dhimbje shpinë, sa heq çantën pushojnë direkt."

"Kur shkoj në shpi ndjej dhimbje në qafë dhe shpatull."

Çantat e rënda janë vetëm një ndër arsyet e shumta që shkaktojnë deformim të shtyllës kurrizore.

"Rritja e aktiviteteve apo mosaktiviteteve që ato kryejnë mund të ndodhë që të bëjnë mospërballimin e streseve trupore të çantave të shkollës, keqpozicionimin, të cilat një posturë skoliotike, një keqqëndrim momental i përsëritur ndër vite mund të përkthehet në një skoliozë permanente që kërkon patjetër trajtim."

Fizioterapistët thonë se rastet me skoliozë janë shtuar ndjeshëm dy vitet e fundit. Pandemia ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve.

"Deformimet e shtyllës kurrizore kohët e fundit janë bërë akoma më shumë prezente në jetën tonë për shkak se dy vjet fëmijët kanë qenë pa aktivitet, të padiagnostiokuar dhe të pakontrolluar."

Endrit Mone thotë se grupmosha më e prekur është 9 deri në 15 vjeç.

Nëse deformimet e konstatohen herët, korrigjimi i tyre është i mundur.

"Deformimet e shtyllës kurrizore trajtohen deri në moshën 16-17 vjeç, kur kemi dhe maturimin e fundit kockor. Në momentin që kocka maturohet është e vështirë të ndryshojë qoftë për mirë, qoftë për keq. Gjithë lufta bëhet deri në këtë moshë."

Këshillohet që prindërit por edhe mësuesit të jenë më vigjilentë me fëmijët dhe nëse konstatojnë asimetri trupore t`i drejtohen mjekut.

"Duhet që kjo grupmoshë të jetë gjatë gjithë kohës në kontroll. Minimalisht një herë në vit një vizitë rutinë."

Sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore në Shqipëri, rreth 830 persona rezultojnë të diagnostikuar me skoliozë.