Rritja ekonomike në pikëpyetje, BSH: Pritet shtimi i kredive problematike nga rritja e çmimeve

Rritja ekonomike mbetet në pikëpyetje ndërsa shtrenjtimi i çmimeve ka sjellë presione inflacioni. Këto janë konstatimet e raportit të stabilitetit financiar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, i cili u prezantua këtë të enjte, 29 shtator, në Bankën e Shqipërisë.

Sa i përket stabilitetit financiar, rreziku nga ekonomia e brendshme është rritur dukshëm.

Sipas drejtorit të Departamentit Financiar në Bankën e Shqipërisë, Klodion Shehu, kriza ekonomike që do të pasojë rritjen e çmimeve do të sjellë rritje të kredive me probleme likujditeti.

"Mund të sjellë rritje të kredive me probleme në sektorin bankar dhe njëkohësisht mund të ndikojë rezultatin financiar të bankave".

Një tjetër problematikë është rritja e këstit të kredisë që do të paguajnë qytetarët pasi norma e interesit në 6 mujorin e parë pësoi rritje por në tre muajt e fundit ka arritur deri në 8%.

"Rreziku i normës së interesit është bërë më i pranishëm për faktin se normalizimi i politikës monetare dhe rritja e normave së interesit në treg sigurisht që ndikon në bilancin e sektorit bankar".

Për tu ndalur në sektorin e ndërtimit, numri i lejeve u rrit me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa qëndrueshmëri tregon dhe vëllimi i shitjes dhe rënia e pronave të pashituara për shkak të kërkesës së individëve.