"Salillari, pasha në Kalanë e Aliut" , ndërtuesi “i preferuar” merr 3.9 mln euro për kantierin e ri
Kompania e ndërtimit Salillari merr të tjera miliona nga qeveria, pas parave për dy termocentralet lundruese në Vlorë. Salillarit i janë dhënë edhe 3.9 milionë euro nga Fondi Shqiptar i zhvillimit për restaurim të kalasë së Tepelenës. Nga dokumentacioni vihet re se në këtë monument historik do të hapet një kantier i ri ndërtimi.
Pasi ka marrë pa garë fondin prej 2 milionë eurosh për lidhjen e anijeve të prodhimit të energjisë me rrjetin e brendshëm të Shqipërisë, Salillarit i jepet një tjetër fond i konsiderueshëm.
Janë 3.9 milionë euro të tjera që Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të japë për restaurimin e kalasë së Tepelenës.
Në garë ka marrë pjesë edhe kompania "Gjikuria" që ka kërkuar rreth 500 mijë euro më shumë për realizimin e punës.
Në përfundim të shqyrtimit të dokumenteve Fondi Shqiptar ka shpallur fitues Salillarin i cili punimet do ti realizojë brenda 18 muajve.
Ka qenë deputeti i LSI petrit Vasili i cili ka ironizuar procedurën. Duke iu referuar dokumenteve ai thotë se ekspertët e qeverisë kanë zbuluar se kalaja shekullore është ndërtuar keq dhe me çimento e gëlqere të dobët.
Por nëse do të shkosh më tej në materialet zyrtare zbulohet se brenda kalasë do të shemben më shumë se 10 banesa por edhe objekte të tjera, ndërsa do të kërkohet ndërtimi i disa ndërtesave shërbimi. Po ashtu restaurimit do t’i nënshtrohen banesat që ndodhet brenda Kalasë.
Në ndërhyrje parashikohet që veç mirëmbajtjes në ambientet e brendshme të kalasë do të ketë dhe një rrethim të murit anësor, siç shihen nga pamjet me dru, si rrugë kalimi për vizitorët.
Po ashtu në pjesë të ndryshme duket se është kërkuar të modernizohet kështjella e Ali Pashë Tepelenës i cili i rezistoi përplasjes me portën e madhe të sulltanit turk.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
