Qeverisë i dalin jashtë kontrollit PPP, nga 228 kontrata koncesionare vetëm 184 janë monitoruar

Qeveria po has probleme në kontrollin dhe menaxhimin e kontratave koncensionare me Partneritet -Publik-Privat. Në raportin e saj mbi Strategjinë për Menaxhimin e Financave, Ministra e Financave bën të ditur nga 228 kontrata koncesionare janë monitoruar vetëm 184 prej tyre.

Ministria e Financave duket se ka dështuar me monitorimin e kontratave koncesionare me Partneritet-Publik-Privat.

Në strategjinë e saj për menaxhimin e financave, Ministra e Financave bën të ditur nga 228 kontrata koncesionare janë monitoruar vetëm 184 prej tyre. 20% e kontratave janë lënë jashtë këtij procesi që tashmë është detyrim ligjor.

Gjithashtu Ministria e Financave dështoi të publikojë raportin e monitorimit për 184 kontratat e monitoruara edhe pse ka ndërmarrë angazhim ligjor për këtë veprim. Sakaq kontratat PPP janë projektet më të financuara në zërin e pagesave të thesarit të shtetit.

Rezultatet e monitorimit të strategjisë për vitin 2021 tregojnë se “Objektivat që synojnë përmirësimin e procesit të monitorimit të investimeve publike, duke përfshirë projektet PPP dhe koncesionet nuk u arritën siç ishin parashikuar për vitin 2021”, thuhet në analizën e Ministrisë së Financave.

Raporti i financave thekson se ka pasur mungesë progresi në procesin e monitorimit të kontratave PPP për shkak të mungesës së raportimit periodik nga Autoritetet Kontraktuese.

Po ashtu në raport theksohet se rreziqet që ndikuan në zbatimin e këtij treguesi lidhen me organizimin e brendshëm dhe burimet njerëzore të Autoriteteve Kontraktuese, për shkak se nuk ka qenë e mundur ndarja e roleve dhe përgjegjësive për raportim dhe gjithashtu në disa raste ato nuk kanë pasur burime njerëzore të mjaftueshme për të përmbushur detyrimin e tyre lidhur me raportimin.

Nga ana e saj, Ministria thotë se do të vazhdojë të ndërgjegjësojë Autoritetet Kontraktuese mbi rëndësinë e procesit të monitorimit dhe raportimit të kontratave koncesionare PPP, duke u dërguar herë pas here shkresë zyrtare për të theksuar detyrimin e tyre për të përcjellë raporte periodike për këto kontrata në MFE, thuhet në raport.