Salillari merr 2.2 milionë euro pa garë, për 100 ditë do të lidhë dy anijet e prodhimit të energjisë me sistemin në Shqipëri

2.2 milionë euro është fatura që qeveria shqiptare do ti paguajë kompanisë Salillari për të lidhur dy anijet që do të prodhojnë energji në Vlorë me rrjetin e brendshëm të Shqipërisë. Fondi është parashikuar të realizohet brenda 100 ditëve, ndërsa tenderi konstatohet pa garë. Madje dhe Open Data e ka renditur me flamur të kuq.

Salillari merr një tjetër tender me vlerë të konsiderueshme nga qeveria shqiptare. Janë rreth 2.2 milionë euro që subjekti ka fituar në tenderin për ndërtimin e infrastrukturës që do të lidhë gjeneratorët e prodhimit të energjisë të vendosur në dy anijet në postin e Vlorës.

Sipas të dhënave zyrtare në garë është përfshirë vetëm kompania Salillari, që është shpallur edhe fituese e prokurimit. Madje në prokurimet publike nuk ka as vërejtje sa i përket kritereve që duket se kompania i është përgjigjur të gjitha kushteve të vendosura prej Koorporatës Elektroenergjetike.

Por tenderi është konsideruar me probleme dhe nga organizatat që monitorojnë prokurimet. Kështu Open Data i ka vendosur flamur të kuq duke sinjalizuar mungesën e konkurrimit dhe si pasojë duke ngjallur edhe dyshime.

Gjithësesi pasi të përfundojnë edhe afatet e parashikuara në ligj për ankimimet Salillari duhet që brenda 100 ditëve të shtronjë linjën për të lidhur dy anijet me sistemin e transmetimit të energjisë elektrike.

Në dokumente paraqiten dhe projektet që do të realizohen nga thellimi i bregut ku janë ankoruar anijet dhe deri në brendësi të Triportit.

Tenderi në fakt është realizuar pikërisht në kohën kur qeveria rriti me 4.4 herë çmimin e energjisë elektrike për çdo lëvizje sahati mbi 800 kilovat.