Amnistia Fiskale, Tabaku thirrje opozitës: Mos e votoni, barrë për biznesin e ndershëm
Partia Demokratike perforcoi qendrimin e saj kunder nismës së qeverisë për Amnistinë Fiskale. Deputetja Jorida Tabaku tha se ligji i hap rrugë kapitalit kriminal dhe korruptiv
"Në emër të Partisë Demokratike, unë e kam kundërshtuar amnisitinë fiskale për tre vite me rradhë. E kam kundërshtuar këtë iniciativë, si një iniciativë që nuk shkon në të njejtën linjë me shtetin ligjor, që nuk shkon me barazimin e ligjit, por nga ana tjetër cënon punën e bizneseve të ndershme të cilët sot do të vendosen përballë përgjegjësisë për të paguar një normë tatimi shumë herë më të lartë sesa ajo që do t'i ofrohet përsonave që do të jenë subjekt i amnistisë fiskale.
Në gjykimin tim, por edhe të ekspertëve ligji i amnistisë fiskale do të cënoj dhe pagesat e ardhshme të taksave, por ajo që është më e rëndësishmja, do t'i hapi rrugë kapitalit kriminal dhe korruptiv që fatkeqësisht në tetë vitet e fundit në Shqipëri ka qënë në rritje.
Fakti që Shqipëria është pjesë e listës gri të pastrimit të parave duhej të ishte një sinjal për qeverinë shqiptare që nuk është ky drejtimi që duhet shkuar. Nga ana tjetër unë nuk besoj që ka emigrant që është larguar nga Shqipëria në 30 vitet e fundit që ka 2 milionë euro të padeklaruara."
Më tej Tabaku tha se në një moment kur qeveria shqiptare duhej të kishte frymën europiane, standartet europiane, normat europiane në çdo ligj, në çdo reformë që bën, është e pamundur që të nisësh diskutimet për ligjet të cilat nuk janë në përputhje me ligjet e Bashkimit Europian.