Kredi me 0 %, a ja vlen?! Mikrokreditë “shpëtim” kur e merr, “hall” kur e shlyen
Institucionet e vogla financiare janë hedhur në sulm duke reklamuar ofrimin e kredive me interes 0 në shuma të vogla, por specialistët, kjo skemë nuk ka logjikë financiare. Sipas tyre, kreditë e dhëna nga institucionet e vogla, kanë interesat më të larta në treg.
Pandemia dhe më pas rritja e çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë janë shoqëruar me një rritje të ofertës për kredi të vogla nga institucionet financiare.
Kjo ofertë shoqërohet me lajmërime se borxhi ofrohet me normë interesi 0% për individët, duke dalë jashtë logjikës financiare.
Brunilda Isaji, eksperte e mikrofinancës tregon se mikrokreditë ndonëse ndjekin të njëjtën mënyrë operimi si bankat, kanë normë interesi shumë herë më të lartë.
“Banka e Shqipërisë vendosi çmimi tavan ku mesatarja është deri ne 30%. Institucionet e mikrokredisë, marrin kredi për të dhënë kredi ku ka nivele te larta risku. Japin vlera të ulëta, jo si institucionet bankare. Procedurat operacionale janë në të njëjtën mënyrë si bankat. Por normë interesi më e lartë."
Për të minimizuar këto vlera të larta penalitetesh si pasojë e normës së interesit, Isaji këshillon qytetarët që të bëjnë ri-skedulim për të shlyer detyrimin.
“Kur hasin vështirësi për shlyerjen e principalit, qytetarët duhet të bëjnë ri-schedulim ripagimi në bazë të të ardhurave që kanë.”
Si pasojë e krizës por jo vetëm, kërkesa e qytetarëve vjen në rritje për kredi me vlera të vogla. Vetëm për vitin e kaluar, mikrofinancat dhanë 250 milion kredi të reja.
Në një nga këto institucione të mikrofinancës, raporti tregon se viti 2021 përbëhet më së shumti, 68% nga kredi të përsëritura, dhe vetëm 34% nga kredi të cilat gjenerohen nga klientë të rinj.
