Dhunë në Shtëpinë e Fëmijës, Prokuroria Sarandë heton në gjendje të lirë dy kujdestare, Bashkia ngre grup pune

Pas denoncimit se dy edukatore kanë dhunuar fizikisht 3 fëmijë rezident në “Shtëpinë e Fëmijës” Vangjel Pulla në Sarandë, drejtuesit nuk pranojnë të komentojnë.

Ndërkohë në Drejtorinë e Shërbimit Social në Bashkinë e Sarandës janë njohur me rastin para se të bëhej publik.

Drejtorja e këtij Shërbimi, Anila Pikuli, thotë se një grup monitorimi i ngritur për këtë rast ka arritur në konkluzion se ndaj të vegjëlve nuk ka pasur dhunë.

"Pjesë e grupit të monitorimit ka qenë dhe bashkia Sarandë. Rezultatet e grupit të monitorimit kanë nxjerrë konkluzion se nuk është ushtruar dhunë në Shtëpinë e Fëmijës".

Pas denoncimit të nënës në komisariatin nr 3 në Tiranë, Prokuroria e Sarandës ka nisur një hetim në gjende të lirë për dy kujdestarët e dyshuara.

Përballë dyshimeve për një skandal dhune në një institucion të kujdesit për të mitur edhe Bashkia e Sarandës angazhohet se do të ngrejë një tjetër grup pune.

"Me urdhër të kryetarit ka ngritur sërish një grup pune i cili do të verifikojë jo vetëm momentalisht rastin, por do ta ndjekë në vazhdimësi."

Ndër vite në Shtëpitë e Fëmijëve në vend janë zbuluar disa raste të rënda të abuzimit dhe keqtrajtimit të të miturve që mbahen në këto institucione.