Sokol Cikalleshi kërkon “besën” e shqiptarëve për Kombëtaren (VIDEO)

Sokol Cikalleshi vesh shiritin e kapitenit në konferencën e shtypit. Përpara ndeshjes me Islandën, trajneri Reja zgjedh të ketë të krah sulmuesin kavajas që në mbrëmjen e Tel Avivit dha disa shkëndija por nuk ndezi zjarrin që të gjithë kërkonin. Gjithsesi, për të evituar ndoshta që Hysaj si kapiten “de jure” të evitonte ndonjë pyetje të sikletshme edhe për shkak të gabimit që solli golin e parë, tekniku zgjodhi bomberin i cili kërkoi më shumë kohë për të rinjtë e Kombëtares.

“Futbolli është lojë gabimesh e në ndonjë moment mund të përfitosh. Kohët e fundit nuk kemi përfituar dhe kemi qenë ne ata që kemi gabuar. Është një situatë jo e mirë për momentin. Ishte një ndeshje që duhej ta fitonim pasi vetëm tre pikët na mbanin në lojë. Jemi ulur e kemi analizuar pse vazhdojnë të njëjtat gabime individuale që po na peshojnë. Kohët e fundit nuk kemi përfituar dhe kemi qenë ne ata që kemi gabuar. Kohët e fundit kjo na ndodhur, jo vetëm te ndeshja me Izraelin.

Kjo është kombëtare, është krenari për ne dhe gjithë shqiptarët. Nganjëherë me të drejtë mund të kritikohemi, por kemi nevojë edhe për mbështetje, duhet të jemi bashkë se kështu mund të bëjmë gjëra të mira. Kërkojmë mbështetje pasi shumë shpejt vijnë ndeshjet e Europianit. 

Unë kam rreth 10 vite në kombëtare. Kanë ardhur të rinj por ata duan kohën e vet, të mos i fusim në presion se futbolli është një vazhdimësi. Ne pjesa e vjetër nuk jemi të shumtë, po presim shumë nga të rinjtë që po na vijnë dhe të jemi pak më dashamirës në këtë aspekt duke qenë në mbështetje të gjithë”.