“Të ardhmen? E di vetëm Zoti”. Trajneri i Kombëtares nuk e di se çfarë do të ndodhë pas Islandës

“Të ardhmen? E di vetëm Zoti”. Trajneri i Kombëtares
Nuk ka një përgjigje për të ardhmen por vetëm për të tashmen. Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja mendon për sfidën me Islandën të martën në “Air Albania Stadium” por jo përtej këtij dueli.

Në konferencën e shtypit ai u ndal në shumë tema, duke nisur që nga humbja e Izraelit dhe deri te formacioni, pa preferuar të flasë për zhurmën e krijuar rreth të ardhmes së tij edhe pse kontrata i skadon në muajin nëntor.

"Nuk është mendimi që kam tani, mendoj vetëm për Islandën, nuk mendoj për të ardhmen. Unë mendoj vetëm për këtë ndeshje, pas Islandës ka kohë të mendoj për të ardhmen. Ajo që ka rëndësi është kjo ndeshje. Pastaj vetëm Zoti mund të kuptojë atë që do të ndodhë.

Duhet të luajmë me besim te aftësitë, jo duke menduar për atë që ka ndodhur, por të fokusuar te ndeshja. Ndaj Islandës duhet karakter i fortë, janë të aftë fizikisht dhe kanë karakter të fortë ndaj ne duhet të dominojmë.

Kritikat sa më përket mua, nuk më prekin, djemtë mund t’i kenë ndjerë pak më shumë. Se kritikat duhet të jenë, por në ndeshjen mbrapa duhet të reagosh, duhet të jesh shumë më i inatosur për të arritur objektivin.

Kemi bërë paraqitje të mira në miqësore me Spanjën dhe Gjeorgjinë ashtu siç luajtëm  mirë edhe ndaj Polonisë pavarësisht se nuk kemi fituar. Flasim për gabime individuale, kundërshtarët po shfrytëzojnë gabimet tona. E rëndësishme të qëndrojmë të gjithë bashkë, kundër Izraelit bëmë shumë gabime. Ishin dhurata, kur barazuam lamë shumë hapësira për kundërsulm dhe këto nuk duhet të ndodhin kurrë. 

Shpresoj t’i kem të gjithë në dizpozicion, janë disa lojtarë që në klube kanë luajtur pak dhe në situata të tilla ndihen probleme. Ndikon ngarkesa e madhe, deri nesër do të kemi një panoramë më të qartë për gjendjen e lojtarëve. Duhet të bëj vlerësimet e mia, por mund të ketë ndryshime në modul dhe emra lojtarësh".