Gjyqi për "Partizanin", dëshmon gjenerali Qiriazi: Do mbaja të njëjtin qëndrim në çdo kohë që do të isha në shtet

Ish-gjenerali Vladimir Qiriazi është marrë në pyetje nga SPAK në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit "Partizani". Ai tha se ka refuzuar të firmosë shkresat e privatizimit të kërkuar nga ish-ministri, Gazmend Oketa, dhe këtë do e bënte sërish nëse do të ishte në atë funksion.

Prokuroria e Posaçme ka vijuar marrjen në pyetje të personave që kanë patur dijeni për shpronësimin e ish-kompleksit "Partizani".

Pas dy ish-ministrave të Mbrojtjes Gazmend Oketa dhe Fatmir Mediu, radhën për të dhënë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni e pati këtë të hënë Vladimir Qiriazi, ish-drejtuesi i Komandës Mbështetëse në Forcat e Armatosura.

Pas daljes nga prokuroria, ai tha se kishte refuzuar të firmoste shkresat e privatizimit.

"Kam kryer një procedurë të ligjshme si shtetar i këtij vendi dhe në çdo kohë që do më jepej mundësia të punoja për shtetin do të bëja të njëjtën gjë që ka të bëjë vetëm me ligjet për mbrojtjen dhe forcimin e shtetit shqiptar."

Sipas deklarimeve të bëra dhe në media, Qiriazi ka pretenduar se e larguan nga detyra vetëm për këtë fakt, ndërsa Ministër i M Mbrojtjes në atë kohë ka qenë Gazmend Oketa.

"Për mua ka qenë praktikë që nuk përputhej me ligjin, nuk e di çfarë është bërë më vonë. Kam përdorur praktikën shkencore, ligjore, me eprorët e mi dhe me gjithë linjën time të vartësve."

Prokuroria do të pyesë edhe persona të tjerë në lidhje me privatizimin e kompleksit "Partizani" dhe procedurën e ndjekur.

Hetimi ka nisur pas kallëzimit të bërë në Prokurorinë e Posaçme nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili akuzon për korrupsion dhe shpërdorim detyre Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.

Gjyqi për "Partizanin", dëshmon gjenerali Qiriazi: Do mbaja