Përmbytjet/ Banori nga Tropoja për Ora News: Erdha natën nga Anglia, pushteti nuk ka pyetur a jemi gjallë

Në një lidhje me Ora News, një banor i quajtur Idriz Sadiku fshati Zharkë në Tropojë tregoi për Ora News se reshjet e ditëve të fundit kanë shkatërruar çdo gjë atje.

Ai tha se uji ka marrë me vete çdo gjë dhe theksoi se pushtetit lokal nuk u ka ardhur aspak në ndihmë, as për t’i pyetur nëse janë gjallë apo.

Banori: Pas 24 orë vështirësi njerëzit kanë mbijetuar dhe nuk ka viktima, por çdo gjë janë shkatërruar nga reshjet e mëdha. Janë shkatërruar urat, baza ushqimore, bletët, çdo gjë që ka qenë, ka shkuar në det. Çuditem që në këtë vështirësi asnjë organ i pushtetit lokal nuk merr masa dhe nuk pyet a jemi gjallë. Familja ime është akoma në fshat. Unë kam ardhur se jam emigrant. Nuk ka ardhur njeri për të pyetur nëse jemi gjallë apo kemi vdekur.

Këtu është një katastrofë, janë përmbytur gjithçka. Njerëzit nuk kanë të hanë dhe të pinë, dhe as bagëtitë. Jemi shumë të zhgënjyer, sepse nuk kanë pyetur fare për ne. Ne kemi njoftuar disa herë policinë dhe na kanë thënë se të ruajmë veten sepse nuk vijnë dot me ushtri apo me helikopter. Kam ardhur nga Londra dhe pushteti lokal nuk shkon dhe me pyet njeri nëse kanë vdekur apo kanë bukë e ujë.