Përmbytjet dëshmi e vjedhjes, PD: Miliona euro taksa të çuara dëm të qytetarëve që vidhen e shpërfillen

Partia Demokratike ka reaguar për situatën e krijuar nga përmbytjet duke deklaruar se ato dëshmojnë vjedhjen qeveritare.

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Fjoralba Dizdari, tha sot se propaganda nuk mbulon dot faktin e miliona eurove taksa të çuara dëm të qytetarëve që vidhen dhe shpërfillen.

Dizdari: Pamja e përmbytjeje dhe e zonave të tëra pa energji elektrike, dëshmojnë një gjë të thjeshtë: fondet e lëvruara për të bërë punë publike, janë vjedhur.

Miti i rremë i ‘’Rilindjes Urbane’’ me investime 360 milionë euro, zbulon çdo herë e më shumë fasadën që ndryshon pamjen, por jo gjendjen e qyteteve dhe fshatrave tona.

Siç dëshmon se, ndonjë punë është bërë, duke i uniformizuar qendrat e qyteteve, nga Jugu në Veri, por më shumë është vjedhur, duke mbushur xhepat e zyrtarëve të Rilindjes në të katër anët e Shqipërisë.  

Shihni për shembull një nga mburrjet e bujshme të Kryeministrit, Pedonalen e Lushnjës, të përmbytur nga shiu dhe të kthyer në kanal kullues për qytetin.

Këto dëme dhe ky panik që përsëritet, vijnë nga keqmenaxhimi i pushtetit vendor dhe qendror. Ato shkarkojnë mbi qytetarët barrën e rëndë të taksidarëve, që të dhjetën e marrin, por punë publike nuk bëjnë.

Partia Demokratike do të ndjekë në çdo qark, çdo problematikë të banorëve, të cilët dëmtohen si pasojë e indiferencës së qeverisë dhe bashkive të tyre.
I bëjmë thirrje Ramës të lërë llogjet në Facebook dhe të shohë Shqipërinë nën ujë, pa dritë, me vetëm një rrëke shi.
Kryebashkiakët nuk janë më shumë se sekretarë të parë partie, të emëruar jo, të zgjedhur.

U bëjmë thirrje banorëve të këtyre bashkive të mbajnë shënim gatishmërinë e tyre, sa herë paniku dhe rreziku u kanë trokitur te dera.