Situata nga moti i keq/ Rrëshqitje në rrugë dhe mungesë energjie në disa fshatra, lundrimet drejt Italisë nesër

Moti i keq ka vijuar të shkaktojë probleme në disa akse rrugore në veri të vendit, si dhe në linjat e transportit detar nga Porti i Durrësit.

Ndërkohë që janë riparuar pjesa më e madhe e defekteve dhe problemeve në sistemin elektrik dhe është rikthyer furnizimin normal me energji për banorët e këtyre zonave.

Strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet e varësisë së saj vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo problematikë. Situata e përditësuar me të dhënat e orës 20:00 paraqitet si më poshtë:

Rajoni verior

Vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë në Tropojë, ku janë regjistruar edhe problemet më të mëdha.

Të gjitha akset e rajonit verior jane të qarkullueshme. I vetmi aks rrugor ku për arsye sigurie është bllokuar momentalisht qarkullimi i mjete të rënda është aksi Bajram Curri-Kam. Në këtë aks vazhdon qarkullimi i mjeteve të vogla vetura dhe furgona. Nuk lejohet kalimi i mjeteve të rënda pasi ka dëmtime të asfaltit.

Pritet pushimi i reshjeve për të ndërhyrë me mbushjet atje ku ka dëmtime. Edhe në Qafë Mali-Fierzë po punohet me 3 fadroma dhe një eskavator për përmirësimin e situatës pasi vijojnë reshjet.

Ka probleme të vogla në akset e qarkut Kukës si në Kukës-Krumë, Kukës-Bushtricë, Kukës-Shishtavec me rrëshqitje aluvionesh, por pa problem për qarkullimin rrugor.

Në të gjithë akset e tjerë të rajonit brigadat e mirëmbajtjes janë në terren duke bërë pastrime nga rënia e aluvioneve në rrugë.

Rajoni qendror

Aktualisht në rajonin qendror nuk ka prezencë të reshjeve të shiut. Qarkullimi i mjeteve është i vazhdueshëm në çdo aks. Kontraktorët janë në gatishmëri për çdo rast.

Rajoni jugor

Ne rajonin jugor moti drejt përmirësimit. Nuk ka probleme me qarkullimin e mjeteve. Kontraktorët janë në gatishmëri për përballimin e çdo përkeqësimi të mundshëm të situates.

Furnizimi me energji

-Aktualisht janë 14 fidera jashtë pune. 96% e avarive në zona rurale, malore.

-Jashtë pune janë 2 Nst Gropaj (Kukës) dhe Hysgjokaj (Berat). Po punohet nga grupet e Tensionit të Lartë.

-Situata paraqitet e përmirësuar në masën 80%, krahasuar me gjendjen kritike të paradite

-Po punohet në fiderat e zonave Lushnje, Fier dhe Përmet, kurse në pjesë të tjera kanë defekte në sektorin TU (tensioni i Mesëm)

-Të gjithë linjat që furnizojnë me energji elektrike hidrovorët dhe institucionet e rëndësisë së veçantë janë në funksionim.

-Të gjitha linjat e tensionit 35kV punojnë në kapacitet të plotë.

Portet detare

Për arsye të mbylljes së Portit të Barit në Itali, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe kthim, do të nisën në orën 07:00 të mëngjesit të datës 18 Shtator dhe jo në orarin e parashikuar 23:00 të mbrëmjës së sotme. Pasagjerët janë njoftuar dhe do mund të akomodohen të gjithë me dhoma në traget.

Situata në portet e Sarandës dhe Shëngjinit është normale.

Në Portin Vlorë do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi ndalimi i lundrimit për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese deri në një njoftim të dytë.